Nimanbegu: Përshëndesim reagimin Komisioneres për Zgjerim në Komisionin Evropian

Deklaratë për media nga Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu

 

Përshëndesim reagimin e zonjës Marta Kos, Komisionere për Zgjerim në Komisionin Evropian, e cila publikisht ka shprehur shqetësimin e saj mbi aspektet problematike të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe. Gatishmëria e saj për të mbrojtur parimet e transparencës, ligjshmërisë dhe interesit publik përçon një mesazh të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Malit të Zi, veçanërisht për ne në Ulqin, që ndodhemi në qendër të këtij procesi të diskutueshëm.

Gjithashtu, shprehim falënderimin tonë për Presidentin e Malit të Zi, z. Jakov Milatoviq, i cili i është drejtuar me një shkresë zyrtare zonjës Kos dhe në këtë mënyrë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për hapjen e këtij diskutimi në institucionet evropiane.

I gjithë procesi — duke filluar nga miratimi i Programit të objekteve të përkohshme në zonën e të mirave detare për periudhën 2024–2028, pa pjesëmarrjen dhe pëlqimin e komunave bregdetare, e deri te nënshkrimi i Marrëveshjes me investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe — përbën një shembull klasik të shkeljes së së drejtës për vetëqeverisje lokale, të garantuar me Kushtetutë. Pushteti qendror, duke injoruar qëndrimet dhe interesat e komuniteteve lokale, ka marrë në dorë proceset zhvillimore të komunave, duke shkelur parimet e decentralizimit dhe qeverisjes demokratike. Ky qasje jo vetëm që rrezikon autonominë e vetëqeverisjes lokale, por gjithashtu minon besimin e qytetarëve në institucionet që duhet të mbrojnë interesat e tyre.

Po ashtu, theksojmë se nuk duhet neglizhuar as dimensioni i mbrojtjes së të drejtave të popujve pakicë në këtë rast. Mënyra se si po zhvillohet i gjithë procesi prek drejtpërdrejt Komunën e Ulqinit. Injorimi i obligimeve ligjore për konsultim me përfaqësuesit e pakicave, si dhe ndërmarrja e masave që mund të ndryshojnë strukturën etnike të popullsisë, përbëjnë një hap serioz prapa për karakterin multietnik të Malit të Zi.

Kujtojmë se Ligji për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave ndalon në mënyrë të prerë masa të tilla. Jo vetëm që vetëqeverisja lokale nuk është konsultuar, por edhe e drejta për dialog institucional është ndërprerë brutalisht në parlament, pavarësisht mekanizmave të qarta që parashikon ligji.

Për këtë arsye, edhe një herë i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë që ta shikojnë këtë çështje në tërësi — jo vetëm si një çështje ekonomike dhe ekologjike, por si një sfidë serioze për të drejtat e pakicave, të drejtën e qytetarëve për vetëqeverisje lokale dhe për parimet e qeverisjes demokratike.

Ulqini nuk kërkon asgjë më shumë përveç respektimit të ligjit, dinjitetit dhe barazisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi