Nga orët e mëngjesit të sotëm drejtuesit e Ndërmarrjes publike për kultivimin dhe mbrojtjen e egërsirave në krye me drejtorin Ajet Zaga, kryetarin e Këshillit drejtues Tihomir Rakoçeviq dhe tërë skuadrën e rojeve të gjuetisë, me ndihmën e organizatës joqeveritare “Ekovita”, të cilën e përfaqësoi Rasim Lika, kanë ndarë mbi 1000 kg ushqim për lloje të ndryshme të shpendëve që gjenden në territorin e kësaj komune.
Zaga theksoi se për çdo ditë, me asistencë të policisë, bëhen kontrolle të mëdha të terrenit për shkak të gjuetisë së paligjshme, sepse është periudha e ndalimit të rreptë të gjuetisë.
Ai kërkoi përkrahjen nga themeluesi, Komuna e Ulqinit, që të ju ndihmojë në këto aktivitete.
“Është mëkat i madh të gjuhet tani dhe të vritet cilido lloj shpendi, sepse duhet të gjithë së bashku, ne gjuetarët e vërtet, të ndihmojmë këtë ndërmarrje në mënyrë që mos të vijë deri tek ndalimi i tërësishëm i gjuetisë. E di që me padurim kemi pritur dimrin që të gjuajmë, por këto janë kushte të jashtëzakonshme dhe duhet të respektojmë njëri tjetrin”, tha Rakoçeviq.









