Kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq deklaroi se ky vit do të jetë vit i investimeve sepse para disa ditëve kanë miratuar buxhetin me vlerë 13 milion euro.
“Kemi investime me vlerë 4.000.000 euro, bëhet fjalë për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit për katër vendbanime, kështu që presim që për një vit ky problem të zgjidhet dhe të ndikojë, konsiderueshëm, në problemet ekologjike, gjegjësisht në përmirësimin e situatës ekologjike në Port Milenë”, tha ai për Infobiro Montenegro.
Si investimin e dytë të rëndësishëm ai përmendi rrjetin e ujësjellësit, realizimi i të cilit pritet deri në muajin prill. Vlera e investimit është 18 milion euro, ndërsa mjetet u siguruan me përkrahjen e Qeverisë së Malit të Zi dhe Bankës Zhvillimore të Gjermanisë.
Nrekiq paralajmëroi ndërtimin e Bulevardit Nënë Tereza dhe Akva Parkut, i cili ka vlerën prej rreth 7 milion euro. Fillimi i punimeve u planifikua për fundin e janarit, kur është paraparë nënshkrimi i kontratës me investitorët turq.