Gati gjysma e kërkesave të qytetarëve për marrjen me qira të objekteve të përkohshme në territorin e komunës së Ulqinit ishte e paplotë, vlerëson Komisioni i cili po e kryen këtë proces.
Për këtë arsye, siç mëson Portali Ul-info, së shpejti do të shpallet tenderi për ato objekte të cilët nuk kanë marrë qiramarrës.
Komisioni po ashtu i dërgoi kërkesë Prokurorisë speciale për krim të organizuar që të hetojë limitimin për qiramarrjen e lokalitetit të njohur si “Big Ben”, në Ranë. Oferta më e madhe për atë objekt ishte 112 mijë euro, e dyta pak mbi 33 mijë, e treta 27 mijë dhe e katërta 5.560 euro.
Nga Komisioni është njoftuar që vendimi për renditjen do të kryhet mbasi që të merret përgjigja nga prokuroria.
Përndryshe, Komisioni ka publikuar rezultatet e ofertave për ato objekte për të cilat është vlerësuar se i plotësojnë kushtet e thirrjes publike.