Në hapësirat e Europe House në Tivar sot u inaugurua solemnisht projekti „CrossKultura – Horizonti i mirëkuptimit“, i cili realizohet nga OJQ Horizonti i Ri me mbështetjen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave.
Projekti fokusohet në forcimin e ndërkulturalizmit, dialogut dhe besimit ndërmjet të rinjve nga Tivari dhe Ulqini, përmes aktiviteteve të përbashkëta që nxisin tolerancën, bashkëpunimin dhe respektimin e diversitetit.
Në këtë ceremoni, përveç organizatorëve, folën edhe përfaqësues të vetëqeverisjeve lokale, institucioneve publike dhe shoqërisë civile:
- Branislav Neneziq, kryetar i Kuvendit të Komunës së Tivarit,
- Ivana Popoviq, kryetare e Kuvendit të Komunës Ulqin,
- Naser Kraja, udhëheqës i Sektorit për të Drejtat e Njeriut, Pakicave dhe Barazinë Gjinore – Komuna e Tivarit.
Në pjesën hyrëse, të pranishmëve iu drejtuan edhe gazetari dhe aktivisti qytetar Radomir Petrić, publicisti nga Ulqini Mustafa Canka, si dhe prof. Negjelko Gjuroviq, trajner i programit për interkulturalizëm, të cilët theksuan rëndësinë e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe të shkëmbimit kulturor në ndërtimin e një shoqërie më kohezive.
Drejtori ekzekutiv i OJQ Horizonti i Ri, Nazif Veliqi, shpjegoi se titulli “CrossKultura” është menduar të simbolizojë ndërthurjen e kulturave dhe ideve të ndryshme, por edhe shkëmbimin e përvojave mes të rinjve. „Qëllimi i kësaj nisme është të krijojë hapësirë për diçka edhe më të rëndësishme e të nevojshme për mjediset tona – për horizontin e mirëkuptimit“, theksoi ai.
Sesionin e moderoi Admira Metoviq, menaxhere e programit për të rinj në OJQ Horizonti i Ri.
Projekti „CrossKultura – Horizonti i mirëkuptimit“ gjatë muajve në vijim do të përfshijë një sërë punëtorishë, diskutimesh dhe ngjarjesh publike, me fokus te edukimi dhe përfshirja aktive e të rinjve nga përkatësi të ndryshme etnike, gjuhësore dhe kulturore.
Projekti realizohet në partneritet me OJQ “Këndi i Tolerancës”, në kuadër të thirrjes publike “Mali i Zi – vend i ndërkulturës: Përmes ndërkulturalizmit drejt kohezionit social dhe shoqërisë gjithëpërfshirëse”, të shpallur nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave.









