OJQ “Ul info” këto ditë filloi realizimin e projektit “Kriporja dhe K1 – Lak në fytin e Komunës së Ulqinit”.
Projekti do të zgjasë gjashtë muaj, përkatësisht deri në marsin e vitit të ardhshëm, në kuadër të projektit “Përkrahja e mediave lokale – shkrime nga dora e parë!”, bartës i së cilit është Qendra për Arsimim Qytetarë, ndërsa e financon BE-ja.
Qëllimi i përgjithshëm i projektit është që të kontribuojë në përmirësimin e profesionalizmit mediatik përmes përmirësimit të gazetarisë hulumtuese në Malin e Zi, ndërsa qëllimi specifik është përmirësimi i gazetarisë hulumtuese në Ulqin përmes shkrimit dhe publikimit të artikujve hulumtues.
Meqë bëhet fjalë për tema të rëndësishme jo vetëm për këtë komunë, por edhe për shtetin, do të organizohen një sërë takimesh me pushtetin vendor, sektorin civil dhe të gjithë palët e interesuara me qëllim grumbullimin e informatave për Kriporen dhe rastin K1.
Përveç kësaj, do të publikohet hulumtimi, hartohet publikimi, organizohen emisione, xhirohen filma dokumentar, shkruhen artikuj hulumtues dhe bëhen raportazhe nga terreni, si dhe të organizohen tryeza të rrumbullakëta dhe panel diskutime në temën e Kripores dhe K1, si dhe fushata promotive dhe informative.
Bashkëpunëtorë në projekt janë Komuna e Ulqinit dhe “Dr Martin Schneider Jacoby Association“.