Nën organizimin e OJQ-së “Ulqini Jonë”, me mbështetje financiare nga Komuna e Ulqinit, ka filluar realizimi i punëtorive në kuadër të projektit “Vepro me përgjegjësi – raporto dhunën” që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve tek të rinjtë.
Drejtoresha e organizatës, Ajdina Metani Luka, theksoi se projekti ka rëndësi të veçantë për komunitetin lokal, pasi problemi i dhunës mes të rinjve gjithnjë e më shumë njihet si një sfidë serioze shoqërore, ndërsa reagimet sistematike ende mungojnë.
Programi do të përfshijë gjithsej 40 nxënës e nxënëse nga Shkolla e Mesme “Vëllazërim – Bashkim” dhe një shkollë fillore, si dhe nga katër mësimdhënës nga secila shkollë. Përmes dhjetë punëtorive njëditore, të rinjtë do të kenë mundësi të fitojnë njohuri dhe aftësi për të njohur dhe tejkaluar dhunën, të zhvillojnë komunikim jo të dhunshëm dhe të marrin pjesë aktive në luftën kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve.
Në kuadër të projektit do të përgatiten dhe shpërndahen fletushka informative dygjuhëshe, do të organizohet një fushatë mediatike dhe një tryezë e rrumbullakët me përfaqësues të institucioneve përkatëse, ekspertë, mësimdhënës dhe prindër, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial në luftën kundër dhunës mes të rinjve.
“Qëllimi ynë është t’u japim zë të rinjve, t’i fuqizojmë që ta njohin dhunën dhe të dinë se nuk janë vetëm. Secili prej nesh ka përgjegjësi – të reagojë, të raportojë dhe të mbrojë”, theksoi Metani Ljuka.
Projekti synon jo vetëm edukimin e nxënësve, por edhe informimin e opinionit të gjerë për rëndësinë e parandalimit të dhunës dhe nevojën për një qasje sistematike. Aktivitetet që kanë filluar do të shërbejnë si model i praktikës së mirë dhe shembull se si një komunitet lokal mund të angazhohet dhe të kontribuojë në krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë të rinjtë.









