OJQ “ULQINI JONË” PËRMBYLLI ME SUKSES PROJEKTIN KUNDËR DHUNËS NDËRMJET TË RINJVE NË ULQIN

Me një tryezë të rrumbullakët përmbyllëse të mbajtur sot në Hotel “Nobel”, organizata joqeveritare “Ulqini Jonë”, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, përmbylli projektin “Bëhu i përgjegjshëm, raporto dhunën”, që kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes kundër dhunës ndërmjet të rinjve.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, shkollave, organizatave joqeveritare, mediave dhe komunitetit lokal. Të pranishmit ndanë përvoja, mendime dhe ide konkrete për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shkollave në mënyrë që të krijohet një mjedis më i sigurt për të rinjtë.

Tryezën e përshëndeti nënkryetari i Komunës së Ulqinit, z. Beqir Sella, i cili vlerësoi iniciativën e OJQ-së “Ulqini Jonë” dhe theksoi përkushtimin e Komunës në mbështetjen e projekteve që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin dhe mirëqenien e të rinjve.

“Komuna e Ulqinit do të vazhdojë të mbështesë projekte të tilla që prekin çështje të ndjeshme shoqërore dhe që kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm për fëmijët dhe të rinjtë tanë,” – theksoi Sella.

Drejtoresha Ekzekutive e OJQ-së “Ulqini Jonë”, Ajdina Metanoviq Lukoviq, prezantoi rezultatet dhe aktivitetet e realizuara gjatë projektit, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në parandalimin e dhunës.

“Rastet e dhunës ndërmjet të rinjve janë një shqetësim i madh shoqëror. Me këtë projekt kemi dashur ta bëjmë temën më të dukshme, të inkurajojmë të rinjtë të reagojnë dhe të kërkojnë ndihmë, por edhe të nxisim dialogun ndërmjet shkollave, prindërve dhe institucioneve,” – u shpreh Metanoviq Lukoviq.

Në tryezë morën fjalën edhe drejtoresha e Qendrës Shkollore “Vëllazërim Bashkim”, znj. Ardita Kovaçi, si dhe profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, znj. Arjeta Kurti, të cilat folën mbi fenomenin e dhunës bashkëmoshatare dhe nevojën për edukim dhe ndërhyrje të hershme në shkolla.

Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësve iu shpërndanë fletushka edukuese dygjuhëshe, të cilat do të vendosen edhe në institucione shkollore, me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e nxënësve.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e vazhdimit të iniciativave të tilla, duke vlerësuar se temat që lidhen me dhunën ndërmjet të rinjve duhet të trajtohen më shpesh dhe më thellësisht, pasi prekin drejtpërdrejt komunitetin shkollor dhe shoqërinë në tërësi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi