I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
Fillimisht dëshirojmë t’ju urojmë funksionin tuaj të ri dhe një punë të suksesshme në krye të Parlamentit lokal.
Me këtë letër dëshirojmë t’ju përkujtomë se organizatat e shoqërisë civile në Ulqin, janë të interesuara që të forcojnë marrëdhëniet e partneritetit me Kuvendin e Komunës dhe organet tjera të vetëqeverisjes lokale. Format e bashkëpunimit janë të shumta dhe në shumicën e komunave në Mal të Zi, ato kanë avancuar dukshëm. Ajo që është elementare në këtë proces, janë obligimet që dalin nga Ligji mbi vetëqeverisjen lokale dhe Statuti i Komunës, e të cilat konsistojnë në
- mundësimin e pjesëmarrjes së OJQ‐ve në trupat punuese të Kuvendit (ST. neni 58) dhe
- pjesëmarrjen në punimet plenare të Kuvendit, përmes institutit “karriga e lirë” (ST. 177).
Nga thirrja për mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, që do të mbahet me 19.03.2014 vërejtëm se nga 3 këshillat/komisionet që duhet të ketë Kuvendi (neni 64 i Statutit të Komunës), ju keni paraparë të formoni vetëm 2.
Pra, përpos Komisionit për mbrojtjen e midisit jetësor, Komisioni për dhënien e propozimeve për emërtimin e lagjeve, rrugëve, shesheve dhe institucioneve, Statuti parasheh edhe Komisionin për përmirësimin e pozitës së personave me invaliditet dhe aftësi të kufizuar, të cilin ju nuk e keni paraprë fare për këtë përbërje të Kuvendit.
Duke shpresuar se bëhet fjalë për një lëshim teknik të Shërbimit të Kuvendit, neve ju bëjmë thirrje që në të tre këto trupa të Kuvendit, të parashihni pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe ekspertëve të jashtëm.
Gjithashtu dëshirojmë t’ju kujtojmë se një nga trupat e Kuvendit (këshillë/komision), do duhej të ishte edhe trupi për “marrëdhënien e vetëqeverisjes lokale me organizatat e shoqërisë civile” i cili dukshëm do të ndihmonte në përmirësimin e këtyre raporteve dhe në rritjen e partneritetit, në dobi të zhvillimit të komunitetit lokal.
Me këtë rast ju ftojmë që të inicioni edhe themelimin e “KËSHILLIT për zhvillimin dhe mbrojtjen e vetëqeverisjes lokale”, i cili është ideuar si një forum që mundëson ndikimin demokratik të qytetarëve në funksionimin e vetëqeverisjes lokale.
Duke besuar se Kuvendi i Komunës së Ulqinit, për mandatin që Ju e drejtoni, planifikon të bashkëpunojë me organizatat e shoqërisë civile në fusha dhe çështje konkrete, ju ftojmë të organizoni takime me OJQ‐te lokale ku do të diskutonim më nga afër për mundësitë e angazhimit dhe veprimit të përbashkët, me qëllim të fuqizimit të partneritetit të ndërsjellët.