Organizata turistike e Ulqinit, në bashkëpunim me Komunën e Pejës, i kanë dhuruar një donacion simbolik, Qendrës për Mirëqenie Sociale të kësaj komune.
Donacion për këtë qendër ishin mandarinat, derisa me këtë akt e kanë promovuar edhe frutin e Malit të Zi.
Koordinatori për evente dhe manifestime në Organizatën Turistike të Ulqinit, Arber Haxhibrahmi është shprehur për KosovaPress se ky promovim i turizmit të Ulqinit kësaj radhe është më ndryshe, duke promovuar frutin e tyre, mandarinën.
Haxhibrahimi, ka shtuar se ky donacion u dhurua si shkak i bashkë vëllazërimit me qytetin e Pejës, me të cilin do të kenë bashkëpunim të radhës edhe në degët e kulturës, artit e turizmit.
Haxhibrahimi: Kësaj radhe kemi pasur qejf të promovojmë dhe frutin
“Është shumë i veçantë dhe shumë domethënës në qytetin tonë. Ta bëjmë prezantimin e këtij fruti të mandarinës bashkë me qytetin e Pejës. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira mes dy qyteteve dhe në të ardhmen do të informoheni edhe për bashkëpunime të tjera sa i përket rasteve kulturore, artistike por edhe në turizëm. Kemi menduar kësaj radhe mos të bëjmë një aktivitet ndryshe duke promovuar qytetin, por kësaj radhe kemi pasur qejf të promovojmë dhe frutin”, është shprehur ai.
Ndërsa, zëdhënësi i komunës së Pejës, Faik Zekaj, ka thënë se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit me Komunën e Ulqinit, i cili e vlerësoi këtë donacion simbolik.
Zekaj: Një donacion simbolik, që ne si komunë jemi të vëllazëruar me Komunën e Ulqinit
“Një donacion simbolik, që ne si komunë jemi të vëllazëruar me Komunën e Ulqinit. Ne këto kemi vendosur me i jap për raste sociale sepse llogaritet një pjesë e luksit dhe ndoshta si kanë mundësitë me i ble. Kjo është vetëm një pjesë e fillimit të bashkëpunimit. Një nismë e vogël që ne do të kemi edhe projekte prapë të tjera të përbashkëta edhe sociale, kulturore e sportive”, ka thënë Zekaj.
Pas Komunës së Pejës, Organizata turistike e Ulqinit, do të dhuroj donacion edhe në Komunën e Deçanit dhe në Komunën e Prishtinës, duke vizituar edhe shtëpinë e të moshuarve.