Organizata turistike: Vazhdojnë aktivitetet në kuadër të manifestimit “Të gjithë për turizëm”

Pas aktiviteteve të suksesshme gjatë muajit maj në kuadër të manifestimit “Të gjithë për turizmin”, Organizata Turistike e Ulqinit ne bashkepunim me Komunen e Ulqinit, vazhdon me realizimin e një programi të pasur dhe të larmishëm që ka për qëllim hapjen zyrtare të sezonës verore të turizmit për vitin 2025. Muaji maj dhe qershor sjellin aktivitete atraktive kulturore, argëtuese dhe familjare, duke e konfirmuar Ulqinin si një ndër destinacionet më dinamike dhe mikpritëse në bregdetin malazez.

 

29 maj – KONCERT I MUZIKËS KLASIKE NË ULQIN

OT e Ulqinit në bashkëpunim me Qendren per kulture ka kënaqësinë të ftojë të gjithë artdashësit në një mbrëmje të veçantë të muzikës klasike, që do të mbahet më 29 maj, në Galerinë e Qendrës për Kulturë në Ulqin. Në këtë koncert solemn do të interpretohen vepra të përzgjedhura nga repertori i pasur ndërkombëtar për violonçel dhe piano, duke sjellë emocione të thella dhe një përjetim artistik të nivelit të lartë.

Të pranishmit do të kenë rastin të dëgjojnë dy artistë të shquar shqiptarë me karrierë të suksesshme: Bledar Zajmi, një nga violonçelistët me një prezencë të fuqishme në skenat ndërkombëtare dhe Iliriana Gjoni, pianiste e rafinuar, e cila me interpretimet e saj ka prekur audienca të shumta në vend dhe jashtë tij.

 

30 maj – Koncert i grupit Amadeus Band

Pika kulmore e pjesës muzikore të programit do të jetë më 30 maj, kur në skenën e hapur të Ulqinit do të performojë grupi i njohur rajonal Amadeus Band. Me energjinë e tyre, hitet e shumta dhe atmosferën e ndezur që krijojnë, ky koncert premton një mbrëmje të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.

 

31 maj – Era Istrefi sjell skenën botërore në Ulqin

Vetëm një ditë më vonë, më 31 maj, Ulqini do të jetë nikoqir i një spektakli ndërkombëtar – do të performojë Era Istrefi, ylli i njohur shqiptar me famë botërore. Me hite të dëgjuara në mbarë globin, performanca e saj do të sjellë ritme moderne, produksion të lartë dhe atmosferë energjike për publikun vendas dhe turistët.

1 qershor – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Organizata Turistike e Ulqinit i kushton vëmendje të veçantë edhe më të vegjëlve. Më 1 qershor, ne bashkepunim me Kuvendin e Komunes se Ulqinit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, do të organizohet një program gjithëditor me punëtori kreative, lojëra, animacione, shfaqje teatrore dhe performanca të ansambleve fëmijërore. Qendra e qytetit do të shndërrohet në një hapësirë të gëzueshme dhe të sigurtë për fëmijët dhe familjet e tyre. Ky aktivitet do te mbahet ne Valdanos me fillim ne ora 11.00.

 

14 qershor – “Dita e Gjelave (Karkalecave) te Ulqinit” – Festë e traditës dhe shijeve vendase

Programi vazhdon më 14 qershor me manifestimin tradicional “Dita e Gjelave (Karkalecave) te Ulqinit”, një festë që promovon kuzhinën autentike ulqinake dhe trashëgiminë kulturore të qytetit. Në zemër të Ulqinit, vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë specialitete vendase, të kënaqen me performanca të grupeve folklorike dhe muzikore. Kjo është një shfaqje e frymës komunitare dhe pasurisë kulturore që Ulqini ofron.

Manifestimi “Të gjithë për turizmin” është një përpjekje e përbashkët e komunitetit lokal për të promovuar Ulqinin si një destinacion turistik modern, të hapur dhe të pasur me përmbajtje. Ngjarjet që do të mbahen gjatë diteve ne vijim janë vazhdim i shpirtit të bashkëpunimit dhe kreativitetit të treguar në periudhen qe kaloj, duke i dhënë mysafirëve arsye shtesë për ta vizituar Ulqinin në fillim të verës.

Ftojmë të gjithë qytetarët, mysafirët dhe dashamirësit e Ulqinit që të bëhen pjesë e festës së verës, kulturës, muzikës dhe jetës. Mirë se vini në Ulqin – qytetin e diellit, detit dhe përjetimeve të paharrueshme!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi