Për Ulqinin, turizmi është dega më e rëndësishme e ekonomisë, sepse mbi 2/3 e të ardhurave, në mënyrë direkte ose indirekte realizohen nga kjo degë e ekonomisë. Prandaj, rreth kësaj çështjeje është i rëndësishëm një konsenzus i gjerë shoqëror.
Ka qenë traditë që në muajin mars dhe prill të përgatitemi intenzivisht për sezonin turistik. Grupet e para të turistëve, kryesisht nga shtetet e regjionit, i kemi pasur për festën e 1 majit, çka ka treguar hapjen e sezonit turistik.
Hotelet e mëdha, kampet dhe pushimoret kanë hapur dyert qysh në prill, dhe kërkesat, lajmërimet kanë qenë shumë të mira, duke përfshirë këtu edhe shumë hotele të vogla dhe apartamente që janë pjesë e shkëlqyer e ofertës sonë turistike. Gjithësesi këtu përfshihen edhe plazhet tona të bukura, çmimet e volitshme, mikpritja dhe shumë faktorë të tjerë në zinxhirin e gjatë turistik.
Duke marrë për bazë treguesit nga viti i kaluar, vijmë të përfundimi se 1/5 e ardhjeve në Rivierën e Ulqinit realizohet në gjysmën e parë të vitit. Kjo tregon se, që tani jemi në minus.
Por, megjithate, nuk duhet të jemi pesimistë. Para se gjithash, duhet të besojmë se kjo situatë së shpejti do të përfundojë edhe tek ne edhe në krejt botën dhe të përgatitemi për kohën që vjen, se, si duket, sipas të gjitha gjasave, kemi me hyrë direkt në vlugun e
sezonit turistik.
Përveç kësaj, edhe në kohërat më të mira ka qenë si rregull që t᾽i ndihmohet kësaj dege të ekonomisë në përgatitjen e sezonit, e pastaj ajo do t᾽u ndihmonte të gjithëve.
Prandaj, është qëllimi ynë kryesor të mbajmë industrinë turistike stabile deri në momentin kur të krijohen parakushtet për vazhdimin normal të punëve, që të jemi të gatshëm për pozicionim sa më të mirë në treg, menjëherë pas përfundimit të pandemisë.
Sikurse, të gjitha kapacitetet në nivel shtetëror dhe të komunës sonë, janë orientuar në ruajtjen e jetëve të qytetarëve, ashtu është me rëndësi për turizmin tonë të ruajmë vendet e punës, sepse në turizëm dhe hoteleri, nuk mund të zëvëndësohet fuqia punëtore e kualifikuar.
Me masat e ndërmarra të organeve shtetërore dhe lokale, si dhe atyre të tjerave që paralajmërohen, si dhe politikën e punësimit tëkompanive dhe sipërmarrjeve tona, jemi të sigurt që kjo do të arrihet.
S᾽ka dilemë se, turistët dhe vizitorët do të udhëtojnë, por që udhëtimet e ardhshme do të jenë ndryshe prej atyre si kanë qenë deri tani. Kështu, p.sh. turistët në udhëtime do të kërkojnë qetësi, të jenë më të kujdesshëm, do të kërkojnë pastërti në vendin e destinacionit. Do të kërkojnë ushqime tradicionale,akomodim kualitativ, shërbim të mirë, mikëpritje të vërtetë…Pikërisht, këto janë adutet tona të tërheqjes së vizitorëve, prandaj krejt atë çka Ulqini mundet, duhet edhe ta ofrojë.
Natyrisht, me çmime të volitshme, sikur edhe deri tani, gjë qe ka qenë përparësia jonë.
Për këtë, Ne po përgatisim një fushatë të madhe promovuese në shtetet e regjionit dhe brenda shtetit tonë, ku Ulqini tregohet si destinacioni më i afërt, më i sigurt dhe më i dëshirueshëm. Turi jonë virtual në tri gjuhë https;//ulcinj360.com/ [1] këto ditë e javë ka shikueshmëri të madhe në internet.
Gjithashtu, OT së shpejti do të botojë katalogun e akomodimeve private, do të stimulojë të rinjt që të bëhen udhëheqës turistik, të shtojë numrin e manifestimeve që do të mbahen gjatë dhe pas sezonit turistik.
OT do të përkrahë çdo aksion të organeve shtetërore dhe lokale, të sektorit civil ose qytetarëve, në eliminimin e pikave të zeza ekologjike në komunën tonë. Do të kemi bashkëpunim të ngushtë me Organizatat Turistike të qyteteve fqinje që të jemi më konkurrues në tregun ndërkombëtar. Natyrisht, do të marrim një sër masave dhe hapave të tjerë në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm
dhe me Organizatën Turistike Nacionale të Malit të Zi.
Përndryshe, hulumtimet që janë bërë këto ditë tregojnë se, ata të cilët janë detyruar të revokojnë udhëtimet e tyre, nuk kanë shuar edhe dëshirën e tyre për udhëtime, ashtuqë, gjysma e të anketuarëve flasin me dëshirë të madhe për udhëtimet. Të anketuarit, në listën e aktiviteteve që do të ndërmarrin pasi që të kalojë pandemia, në vend të dytë kanë vënë shkuarjen në udhëtim turistik.
Prej neve varet që një pjesë e tyre t᾽i kalojnë pushimet në Rivierën e bukur të Ulqinit dhe të kënaqur e të lumtur të na kthehen përsëri.