Panorama.al: Imzot Rrok Mirdita – In memoriam

Gjergj MetaShkruan: Dom Gjergj Meta

Është e pamundur të përmbledhësh në një shkrim, personin, jetën dhe veprën e tij. Mendoj se me kohën dikush do të arrijë të shkruajë një monografi të plotë për një nga figurat e Kishës Katolike më të rëndësishme të periudhës postdiktaturë në Shqipëri, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit nga viti 1993 deri në vitin 2015. Nuk kam ndërmend të bëj një kronologji historike të jetë së tij, por me këtë shkrim, në përvjetorin e pestë të kalimit të tij në amshim, dëshiroj të risjell disa nga kujtimet e mia personale rreth figurës së Imzot Rrokut.

Diku nga viti 1992, në një revistë fetare të atyre viteve, ndoshta “Kumbona e së Djelës”, në kopertinën e saj gjendej një foto e të gjithë meshtarëve të mbijetuar të komunizmit, mes të cilëve gjendej edhe dom Rrok Mirdita. Aty, për herë të parë, kam dëgjuar emrin e tij dhe parë fytyrën e këtij meshtari ardhur nga jashtë e që pas pak muajsh do të ishte Arqipeshkëvi i Dioqezës ku unë jam lindur e rritur. Asohere, ai kishte ardhur nga Nju Jorku e nëpërmjet Malit të Zi kishte hyrë në Shqipëri. Ai, në fakt, ishte lindur në Mal të Zi, pikërisht në një nga fshatrat e Ulqinit, në Kllezën.

E kujtonte gjithmonë këtë çast të ardhjes së tij në Shqipëri e sidomos dy momente të asaj vizite. E para kur kishte shkuar në Malësi të Madhe e kishte thënë meshë atje. Kujtonte se si kishte mbetur i befasuar nga turmat e njerëzve që vinin nga çdo anë nëpër male për të marrë pjesë në meshë. Aty kishte kuptuar që, ndryshe na ç’propogandohej vazhdimisht gjatë komunizmit, besimi nga zemrat e njerëzve kishte jetuar e mbijetuar. Ato turma ishin dëshmia e gjallë e kësaj të vërtete. Dhe momenti i dytë kur ai kishte mbledhur të gjithë meshtarët që i kishin mbijetuar komunizmit në restorant “Rozafa” në Shkodër dhe kishte kaluar një kohë të bukur me ta. Prej asaj dite ishte edhe ajo fotografi në kopertinën e revistës.

Vetëm pak muaj pas asaj vizite, ndërkohë që ai ishte kthyer në qelën e tij në Nju Jork, një telefonatë e Arqipeshkëvit O’Connor e kishte lajmëruar se Papa Gjon Pali II e kishte emëruar Arqipeshkëv të Durrësit. Kur kujtonte këtë moment, atij i binin ndërmend edhe fjalët e Kardinalit O’Connor që, duke perceptuar hutimin e tij, i kishte thënë të mbyllte telefonin e të dëgjoheshin më vonë. Në atë kohë, ai, si famullitar i famullisë së zojës së Shkodrës në Nju Jork, sapo kishte mbllur kontratën për blerjen e tokës ku do të ngrihej më vonë ndërtesa e Kishës në Harstdale, aty ku është ende sot e kësaj dite. I duhej të linte tashmë gjithçka për të nisur nga e para një aventurë të re, pikërisht në Shqipërinë postkomuniste.

Nuk ishte e lehtë aspak të rinisje diçka nga fillimi e sidomos në Shqipërinë e rrënuar nga të gjitha pikëpamjet. Ishte një Kishë për t’u rindërtuar, jo vetëm nga muret, por sidomos gurët e gjallë, njerëzit. Nëse ka diçka që e ka karakterizuar gjithmonë atë njeri, ka qenë realizmi dhe arsyeja praktike. Ai e dinte mirë qysh në fillim se rrugëtimi do të ishte i gjatë dhe i lodhshëm, por ai ishte i gatshëm ta bënte atë rrugëtim. Banesa e tij e parë në vitin 1993, menjëherë pas rënies së regjimit komunist, ishte rezidenca te Vilat e Gjermanëve. Aty e kam njohur për herë të parë, vetëm pak muaj pasi ishte emëruar si ipeshkëv, pikërisht më 9 janar 1994, kur u paraqita tek ai për të hyrë në seminar. Nuk e kisha pasur perceptimin e tij më parë dhe para meje u shfaq një burrë i shkurtër, por me një shikim të zgjuar dhe sens të spikatur humori. Ndërkohë, ai nisi menjëherë organizimin e Dioqezës, për rindërtimin e kishave apo ndërtimin e atyre të rejave. Misionarët katolikë kishin ardhur nga vende të ndryshme e ia kishin nisur punës. E ai nuk përtonte të shkonte kudo ta thërrisnin për meshë, në çdo katund e famulli.Imzot Rrok Mirdita

Ndërkohë, misioni i tij po bëhej gjithnjë e më i hapur, sidomos në relacionet me faktorë të tjerë të jetës dhe shoqërisë shqiptare, sikurse me religjionet e tjera dhe me faktorin politik e kulturor. Mund të themi se ai e njihte mjaft mirë mentalitetin shqiptar, pasi kishte jetuar gjithmonë me dhe mes shqiptarësh, por sigurisht që shqiptarët që gjente në Shqipëri kishin pësuar një shndërrim e për këtë ndoshta iu ka dashur të mësohet me kohën e të rinisë nga e para njohjen e shqiptarëve e sidomos të plagëve të tyre nën regjimin komunist. Në pak kohë, Imzot Mirdita u thye në një pikë referimi edhe për shoqërinë shqiptare, me prononcimet e tij, takimet dhe mesazhet që herë pas here përcillte për publikun, sidomos me rastin e festave të Krishtlindjes dhe Pashkëve.

Ndër shumë gjëra, dy kanë qenë konstante në jetën e tij si bari i Arkidioqezës së TiranëDurrësit. Së pari: ai e dinte se misioni i tij në atë Dioqezë ishte përtej kufijve të saj, pasi ishte edhe në kryeqytetin e Shqipërisë. Kështu që marrëdhënia e tij me institucionet, mediat dhe kulturën ishte de facto marrëdhënia e Kishës Katolike në Shqipëri me to. Për asnjë çast nuk e komprometoi as kishën dhe as vendin e tij. Diti të mbajë raporte korrekte me të gjithë e të mos i rëndonte këto raporte me bindjet apo miqësitë e tij personale në rrafshin publik. Ishte njeri i Kishës dhe e donte shumë kishën, por ishte edhe një shqiptar i mirë dhe e donte shumë Shqipërinë,

Së dyti: besonte gjithmonë se dialogu ndërfetar e ka esencën e tij te marrëdhëniet e mira personale me njerëzit, e sidomos midis udhëheqësve fetarë. Dhe këtë e bëri gjithmonë, sidomos me marrëdhëniet e mira dhe korrekte me liderët fetarë: Haxhi Hafiz Sabri Koçin, Haxhi Selim Muçën, Skënder Bruçaj, Fortlumturinë e Tij, Anastasios Janullatos, Baba Dedë Reshat Bardhi e Baba Edmond Brahimaj, dhe pastorin Ylli Doçi. Qe ndër themeluesit e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe ndër presidentët e parë të Shoqërisë Biblike ndërkonfensionale të Shqipërisë.

Ndërkohë, Kisha Katolike në Arkidioqezën e Tiranë-Durrësit, nën udhëheqjen e Imzot Mirditës, rritej. Krijohen famulli të reja, hapen shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme, dhe në Shqipëri vjen edhe Universiteti Katolik.

Dhurata e madhe që ai i dha asaj Arkidioqeze qe ndërtesa e Arqipeshkëvisë dhe Katedralja e Shën Palit në zemër të Tiranës. Disa herë e dëgjoje tek thoshte se pas shugurimit të Katedrales kushedi a do të vijnë njerëz, por ajo ndërtesë u kthye në një profeci. Qysh ditën e parë, njerëzit erdhën të shumtë dhe ajo Kishë u kthye në një pikë referimi për të gjithë katolikët në Tiranë, por jo vetëm. Shpesh, Katedralja priti evente kulturore, sidomos koncerte të muzikës klasike.

Vizita e Papa Françeskut në vitin 2014 mund të themi se ishte një tjetër moment kulmor i shërbesës së Imzot Mirditës si Arqipeshkëv i Tiranës. E mirëpriti në Tiranë dhe madje në Katedralen e tij, aty ku Papa Françesku u përlot para martirit të gjallë të besimit, Dom Ernest Troshani, të cilin më vonë e krijoi edhe Kardinal.

Por koha nuk kursen askënd dhe ajo për ne njerëzit ka një limit të sajin e duket se për Imzot Mirditën u qëndroi “korrekte” këtyre limiteve. Papa Francesku ia kishte shtyrë edhe për dy vite të tjera mandatin në Arkidioqezën e Tiranës, pasi ai kishte mbushur 75 vjet, dhe ai kaloi në amshim pikërisht si Arqipeshkëv i asaj Dioqeze, në vigjiljen e Zojës së Papërlyer.

Ashtu sikur e ka përkufizuar edhe Arqipeshkëvi aktual, pasardhësi i tij, Imzot George Frendo, Imzot Mirdita qe ati dhe bariu i Arkidioqezës Tiranë-Durrës dhe u radhit në emrat e ipeshkvijve që kanë udhëhequr për 2000 vjet këtë Dioqezë, e vetmja në Shqipëri që mund të krenohet për themelimin e saj apostolik. Ashtu si Agustini i Iponës para trupit të nënës së tij të vdekur edhe ne themi: Nuk të themi o Zot pse na e more, por të falënderojmë për sa kohë e patëm mes nesh Imzot Rrok Mirditën. © Panorama.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Keshilli Organizativ : PROTESTA NË KRYTHË SHTYHET PËR JAVËN E ARDHËSHME
Keshilli Organizativ : PROTESTA NË KRYTHË SHTYHET PËR JAVËN E ARDHËSHME

Ju informojme se pas ngjarjes tragjike te ndodhur ne qytetin e Cetines dhe ne shenje repekti ndaj familjeve te viktimave, Keshilli Organizativ i protestes se banoreve te Krythes dhe Mërkotit kane marre

Bisedime rreth investimeve të shtetit IBRAHIMI DHE BEQAJ TË HËNËN ME BAJRAKTARIN
Bisedime rreth investimeve të shtetit IBRAHIMI DHE BEQAJ TË HËNËN ME BAJRAKTARIN

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Financave, dr Agron Ibrahimi, dhe drejtori i Drejtorisë për Investime Kapitale, Esmir Beqaj, do të qëndrojnë të hënën per vizitë zyrtare në Komunën e Ulqinit. Ato do

Në kuadër te IPA Mal i Zi – Kosovë 2014-2022: Është organizuar për gazetarë vizita studimore tek përfituesit e projekteve
Në kuadër te IPA Mal i Zi – Kosovë 2014-2022: Është organizuar për gazetarë vizita studimore tek përfituesit e projekteve

Sekretarijati i përçashkët teknik i programeve ndërkufitare Mal i Zi – Shqipëri dhe Mal i Zi – Kosovë ka irgnaizuar vizitë studimore për gazetarët e medijave malazeze, gjatë së cilës kanë vizituar përfituesit

Organizata turistike: KËNGËTARËT MË TË NJOHUR TË RAJONIT TË MUZIKËS KLASIKE TË MARTEN NË KALA
Organizata turistike: KËNGËTARËT MË TË NJOHUR TË RAJONIT TË MUZIKËS KLASIKE TË MARTEN NË KALA

  Organizata Turistike e Ulqinit në bashkepunim me Komunen e Ulqinit me date 16.08.2022, organizojnëkoncert të muzikës klasike me fillim në ora 20.30 nëambijetin e muzeut të Kalasë. Bëhet fjalë për tenorët

Bulevardi Teuta: SË SHPEJTI TENDERI, ASFALTIMI NË SHTATOR
Bulevardi Teuta: SË SHPEJTI TENDERI, ASFALTIMI NË SHTATOR

Komuna e Ulqinit me mbështetjen e Drejtorisë së Punëve Publike së shpejti do të shpallë tenderin për asfaltimin e Bulevardit Teuta, mëson Portali Ul-info. Pritet që kjo punë të kryhet menjëherë pas përfundimit