Pasuritë natyrore si kusht për zgjatjen e sezonit turistik

Kompanitë më të mëdha hoteliere në rivierën e Ulqinit kanë dëshmuar se zgjatja e sezonit, synim i përcaktuar në të gjitha planet zhvillimore, mund të arrihet. Sepse, këtë vit objektet e tyre do të jenë të hapura deri në mes të dhjetorit.

Pikërish atëherë fillon ngjarja tashmë tradicionale Sweet December, do të organizohet në Ranë dhe ku do të marrin pjesë një sërë yjesh të muzikës rajonale.

Një muaj më herët, në fund të nëntorit, për të dytën herë do të mbahet Mondiali i Ulqinit, manifestimi që bashkon ish-yjet e futbollit dhe sportit nga rajoni.

Drejtori i Organizatës Turistike, Qazim Hoxhiq thotë se për të zvogëluar karakterin tejet sezonal të turizmit, Ulqinit, para së gjithash, i nevojiten hotelet e mëdha dhe objektet infrastrukturore.

Një nga këto objekte është stadiumi i futbollit në Plazhin e Madh. Ulqini ka një klimë të butë dhe karakteristika hapësinore që mund ta shndërrojnë në Antalian malazeze , vendin ku mblidhen grupe të mëdha sportistësh për përgatitje dimërore.

“Sigurisht që ekziston mundësia e zhvillimit të një sërë llojeve të tjera të turizmit. Nga gjuetia te vëzhgimi i zogjve e vendmjekimi, deri te turizmi rural. “Me pak më shumë përkushtim, sezoni do të zgjatej”, thotë Hoxhiq.

Ai kujton se është arritur marrëveshja me hotelierët vendas që vitin e ardhshëm të sjellin mysafirë gjatë sezonit të mbledhjes së ullirit. “Turistët do të marrin pjesë në mbledhje dhe do të marrin vajin nga ullinjtë që mblodhën vetë. Mendojmë se kjo është një gjë e mirë, e cila pas pak kohësh do të bëhet brend. Rrallëkund në Mesdhe mund të kënaqesh duke mbledhur ullinj nga pemët me vjetërsi mesatare rreth 800 vjet”, thotë drejtori i OT-së lokale.

Zbatimi i projekteve të nevojshme për zgjatjen e sezonit trajtohet hollësisht në Planin Strategjik dhe Zhvillimor të Komunës së Ulqinit për periudhën 2022-2028, kurse vitin e ardhshëm do të miratohet Plani Strategjik për Zhvillimin e Turizmit deri në vitin 2030.

Xhavid Hoxhiqi, punëtor turistik shumëvjeçar dhe qiramarrës i plazhit të njohur Miami në Plazhin e Madh, ku valëvitet flamuri blu, beson se rezultatet më të mira arrihen nga ndërlidhja e kulturës dhe turizmit. “Përveç potencialeve natyror, Ulqini, me historinë e tij 25 shekullore, tri fetë dhe trashëgiminë e pasur kulturore, është xhevahir i bregdetit malazez. Prandaj ne insistojmë në valorizimin e monumenteve kulturore dhe historike dhe restaurimin e tyre në bashkëpunim me institucionet përkatëse, për të përmirësuar në këtë mënyrë ofertën turistike të qytetit tonë ”, shton ai.

Nga Organizata Turistike theksojnë se kanë ngritur edhe çështjen e brendimit të Ulqinit. Në vitet e ardhshme, shumë më tepër fonde do të investohen për aktivitetet promovuese dhe mbështetjen e xhirimit të filmave. Shembulli më i mirë për këtë është filmi dhe seriali Perla e Bunës, i cili kontribuoi në promovimin e jashtëzakonshëm të Ulqinit në tregun rajonal.

Teksti u krijua në kuadër të projektit për promovimin e potencialeve të bujqësisë dhe turizmit në komunën e Ulqinit, të financuar nga Ministria e Kulturës dhe Mediave, nga Fondi për Inkurajimin e Pluralizmit dhe Diversitetit në Media. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e OJQ “Ul info” dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimet e Ministrisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi