Pazari i Ulqinit – tregues i gjendjes së bujqësisë vendore

E marta dhe e premtja janë tradicionalisht ditë pazari në Ulqin, kur një numër i madh i njerëzve vizitojnë tregun e gjelbër. Te blesh diçka, të takosh dikë, të bisedosh me njerëzit e dashur, të shkëmbesh informacione, ka qenë gjithmonë e rëndësishme për banorët e këtij qyteti.

Sigurisht, ky pazar me stenda të vogla, që ndodhet mu në qendër të qytetit, gjithmonë ka qenë i furnizuar me produkte bujqësore autoktone nga rrethina e pasur e Ulqinit, por edhe nga Kraja, Mërkoti dhe Gorana. Në përputhje me tendencat bashkëkohore, tani në pazar ka shumë shitës, që s’janë prodhues, por produktet i blejnë diku tjetër dhe i shesin në pazar.

Gjithashtu, pazari është i njohur edhe për nga çmimet e volitshme, si për qytetarët ashtu edhe për turistët e shumtë që pushojnë në rivierën e Ulqinit e që e vizitën e pazarit e konsiderojnë atraksion të veçantë dhe vend për tu furnizuar me fiq të thatë, bamje, vaj ulliri ose shegë të Ulqinit.

Dikur  (sot, për fat të keq, më pak) aty mund të shiheshin veshjet e bukura popullore nga trevat e Ulqinit, që i jepnin këtij vend një hijeshi të veçantë dhe unike. Mysafirëve gjithmonë u pëlqente të fotografonin shitëset e veshura me veshje popullore, kurse udhërrëfyesit që vizitonin Ulqinin i përshkruanin në shënimet e tyre.

Një nga ambasadorët më të njohur të turizmit tonë në vendet gjermanishtfolëse, njeriu i cili tash 18 vjet jeton dhjetë kilometra nga qendra e Ulqinit, Michael Bader, thotë se vizita tregut të gjelbër për mysafirët e huaj është “përjetim i veçantë dhe lumturi e vërtet për hundën, qiellzat dhe sytë”.

“Turistët nga Evropa Perëndimore, veçanërisht gjermanët, duan të provojnë produktet vendore dhe të njihen me atmosferën tipike në qytetin dhe vendin që vizitojnë. Prandaj, ato e konsiderojnë vizitën e pazarit si përjetim në disa nivele”, thekson Bader dhe shton se Organizata Turistike lokale në programin e vet duhet ta përfshijë promovimin e Pazarit si pjesë të rëndësishme të ofertës turistike të Ulqinit.

Këtu mund të përfshihet edhe vizita e Pazarit në Katërkollë, ku çdo të enjte shiten produktet nga treva e Anës së Malit.

“Pazari ishte gjithmonë tregues i gjendjes së bujqësisë vendore”, tha eksperti bujqësor Xhelal Hoxhiq. Ai thekson se produkti, në aspektin shoqëror, është i përfunduar atëherë kur shitet, prandaj, siç thotë ai, bujqit vendor duhet të nxiten, njëjtë siç bëhet në Evropë.

Përndryshe, në Komunën e Ulqinit planifikojnë që vitin e ardhshëm ta vënë në funksion Tregun e Suvenirëve, që ndodhet mu pranë tregut të gjelbër. Në këtë mënyrë do të nxitet zejtaria shtëpiake dhe do të përmirësohet cilësia e ofertës, sepse suveniri i mirë është kujtim që ruhet me vite.

Teksti u krijua në kuadër të projektit për promovimin e potencialeve të bujqësisë dhe turizmit në komunën e Ulqinit, të financuar nga Ministria e Kulturës dhe Mediave, nga Fondi për Inkurajimin e Pluralizmit dhe Diversitetit në Media. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e OJQ “Ul info” dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimet e Ministrisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi