Në redaksinë tonë mbërriti kumtesa për opinion e shërbimit për informim të Partisë demokratike të cilën e përcjellim në tërësi.
Shërbimi për informim i Partisë Demokratike ka kohë që përcjell akuzat, shpifjet, trillimet dhe thashathemet që bëhen kundër liderit të Partisë Demokratike dhe kryetarit të Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka. Këto akuza plasohen në portalin që është shëndruar në ekpozitur të partisë politike.
Ato nuk njohin kufijtë etik dhe moral. Është në detyrimin e secilit do person që në emër të paanësisë të dëgjohet edhe pala e akuzuar. Andaj, për hir të opinionit publik jemi të detyruar të përgjigjemi në këto akuza me të njejtën gjuhë siç përdorin kundërshtarët tanë politikë.
Me gënjeshtra, mashtrime e trillime, partnerët tanë të deri tanishëm nga radhët e Forcës paralajmrojnë fundin e pushtetit të koalicionit të përbashkët në Ulqin. Në vend që pas tentativës për tradhëti ku janë kapur dhe penguar, të ulin kokën dhe të kërkojnë falje nga qytetarët e Ulqinit dhe zgjedhësit e tyre, ata parreshtur vazhdojnë që të nënçmohen.
Në këtë rënie tragjike çdo gjë iu është ngatrruar, por është mirë që tani nuk flasin për miliona euro dhe për fshesa me korent, por prehje gjejnë dhe “kënaqen” vetëm me 150 mijë euro gjoja të shpenzuara. Nuk dijnë më as gazetat ti lexojnë! Çdokund i shtiret kryetari i Ulqinit dhe kryetari i Partisë Demokratike. Ai siç duket është bërë ankth për ta.
Ata që kanë bllokuar punën e Kuvendit Komunal, ata të cilët në çdo formë janë përpjekur që të ushtrojnë opstrukcione në funksionimin e ekzekutivit, e që çdo gjë e kanë bërë sipas principit “sa më keq, aq më mire”, ato të cilët i kanë prishur marrëdhëniet me të gjitha partitë politike, ato po të kishin pak pjekuri politike dhe edukatë themelore, nuk do të duhej t’ia zinin për të madhe askujt asgjë.
Vlerësojmë se është koha që zyrtarët e këtij subjekti politik, në krye me liderin e tyre, i cili është njëri nga autorët e këtyre shkrimeve të mjera, t’i rikthehen punës që dinë të bëjnë dhe të ruajnë së paku ndonjë gram dinjitet. Me veprimet e tyre kanë dëshmuar që në politikë janë diletantë të thjeshtë të cilët i kanë sjellur shumë dëme Ulqinit gjatë këtyre viteve, por dhe shqiptarëve në Mal të Zi.
Të njejtit pushtetin e kanë shfrytëzuar pothuaj ekskluzivisht për interesat e tyre. Ato shumë mirë e dijnë që Fatmir Gjeka të gjitha këto i din. Ai po ashtu e din që ato nuk mund t’ia falin që secilin qytetarë të Ulqinit, investitorë dhe çdokënd që ka ardhur në Kabinet e ka pritur njerëzisht dhe i ka dal në ndihmë secilës lutje. Për ndryshim nga ta!
Shërbimi për informim i Partisë Demokratike