Sekretarja shtetërore pranë Ministrisë së zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit Daliborka Pejoviq ka deklaruar se Qeveria e Malit të Zi është e vendosur të ruajë biodiversitetin dhe infrastrukturën në Kripore. Ajo për Portalin Ul-info ka thënë se është fituar përkrahja e plotë nga Delegacioni i Bashkimit evropian në Mal të Zi.
Sipas fjalëve të saja, prej sot pompat në Kripore do të punojnë me kapacitet të plotë. “Ne si Ministri kërkuam nga Drejtoria e policisë të mbrojë pompat dhe të kryej kontrollin e tërë hapësirës së Kripores”, tha ajo.
Pejoviq shtoi se Qeveria insistoi që në mënyrë të drejtë të operacionalizohen mjetet me vlerë rreth 165 mijë euro të cilat i investoi në rehabilitimin e kësaj hapësire të mrekullueshme.