Kuzhina e Ulqinit është e veçantë, e lehtë dhe e shijshme, sepse përbërësit e përdorur për të përgatitur gatimet tradicionale e bëjnë të tillë. Dhe ato janë të larmishme dhe të mrekullueshme, gjë që i jep hijeshi dhe bukuri kuzhinës së Ulqinit.
Gastronomia lokale karakterizohet nga një mori ngjyrash dhe aromash, shumë perime me gjethe dhe të tjera, peshk blu dhe të bardhë, vaj ullini, dhe e gjithë kjo është jashtëzakonisht e lehtë, ushqyese dhe e shëndetshme.
Baza e kësaj kuzhine janë përbërësit e freskët, sezonalë që gjithmonë mund t’i gjeni në tregun e pasur të gjelbër të Ulqinit dhe një konsum i ekuilibruar i të gjitha grupeve kryesore ushqimore. Brendësia e gjerë, klima e butë, shumë ujë dhe diell, toka pjellore, janë arsyet për produkte jashtëzakonisht cilësore në zonën e Ulqinit.
Monumenti më i madh i gjallë i kultivimit të ullinit në Adriatik është në Ulqin, kështu që voji i ullinit është një pjesë e domosdoshme e kuzhinës së Ulqinit. Përdoret për gatim, por edhe si salcë për sallata dhe bukë. I pasur me yndyrna të pangopura dhe antioksidantë, voji i ullinit është i njohur për përfitimet e tij për zemrën dhe shëndetin e përgjithshëm. Perimet, si domatet, patllixhanët, kungulleshkat, specat dhe qepët, shpesh përgatiten në skarë ose në furrë, me shtimin e erëzave aromatike si borziloku, rigoni, gjethet e dafinës dhe rozmarina. Voji i ullinit u jep një shije të veçantë të gjitha gatimeve.

Ullinjtë nga Ulqini janë të njohur për shijen dhe larminë e tyre të pasur. Qofshin të gjelbër apo të zinj, të mëdhenj apo të vegjël, secili mbart një aromë autentike, perfekte për t’u shijuar.
Ullini është një bimë unike që kontribuon në shëndet, bukuri dhe kënaqësi në ushqim me shumë aplikime. Pavarësisht se si e përdorni – nëse e përfshini në dietën tuaj, trajtimet kozmetike apo krijimet kulinare – ullini dhe voji i ullinit ofrojnë përfitime të panumërta që bazohen në mijëvjeçarë traditë dhe kërkime shkencore.
Dieta mesdhetare u përfshi në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s në vitin 2013. Është themeli i identitetit të njerëzve në këtë hapësirë të dhënë nga Zoti, në fakt është stili ynë i jetesës.
“Receta ka qenë e thjeshtë këtu për shekuj me radhë: nëse hani të freskët, të larmishëm dhe me masë, dhe kjo nuk është aq e vështirë këtu sepse të gjithë përbërësit janë të arritshëm, nga frutat dhe perimet e prodhuara në vend, te peshku dhe kripa, te voji i ullinit, atëherë do të jeni të shëndetshëm dhe vitalë”, thotë kronikani dhe publicisti i Ulqinit Ismet Karamanaga, duke shtuar se është vërtetuar shkencërisht se ky lloj diete dhe stili jetese janë idealë për trurin tonë.
Sipas tij, ushqyerja është një përparësi e shëndetit publik dhe si e tillë duhet të përfshihet në arsim në shkollat tona.
Ky tekst u krijua në kuadër të projektit “Kultura e kuzhinës: të gjitha shijet e Ulqinit”, i cili financohet nga Ministria e Kulturës dhe Medias, nga Fondi për Nxitje të Pluralizmit dhe Diversitetit të Medias. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e OJQ-së “Ul info” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë.








