Në Raportin e katërt të Komitetit të Ekspertëve të Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare për Malin e Zi thuhet se gjuha shqipe vazhdon të mbajë pozitë të mirë në komunat ku përdoret zyrtarisht. Mirëpo, siç theksohet në raport, nevojiten përpjekje më të mëdha nga ana e pushtetit në fushën e përdorimit të gjuhës shqipe nga ana e administratës vendore.
“Mirëpo, siç duket njësitë vendore të pushtetit shtetëror në zonat ku flitet gjuha shqipe, shpesh nuk e përdorin gjuhën shqipe”, thuhet në raportin e përmendur.
Në kuadër të këtij dokumenti, në pjesën e obligimeve të Malit të Zi sa i përket gjuhës shqipe, një nga detyrat e rralla të pa përmbushura është edhe ajo që ka të bëjë me krijimin e kushteve për personat të cilët përdorin gjuhën shqipe, që të kenë mundësi të dorëzojnë kërkesa me gojë ose me shkrim pranë njësive vendore të pushtetit shtetëror dhe të marrin përgjigje në gjuhën shqipe. Po ashtu, vetëm pjesërisht është përmbushur edhe obligimi i cili parasheh që pushteti lokal të publikojë dokumentet e veta zyrtare në gjuhën shqipe.
Këtë e vërteton edhe hulumtimi të cilin gjatë vitit 2017 e bëri OJQ “Horizonti i Ri” nga Ulqini, i cili tregon se në faqen e internetit të Komunës së Ulqinit një numër i vogël i dokumenteve është publikuar në gjuhën shqipe. Në publikimin “Vetëqeverisja vendore proaktive – Komuna e Ulqinit”, i cili u publikua si rezultat i hulumtimit të përmendur, paraqitet qartë fakti se përveç Statutit të Komunës së Ulqinit, asnjë dokument tjetër nuk është publikuar në gjuhën shqipe në faqen e internetit të kësaj vetëqeverisjeje vendore. Po ashtu, asnjë vendim i miratuar në Parlamentin lokal të Ulqinit nuk u publikua në gjuhën shqipe, ndërsa prej 22 formularëve që iu nevojiten qytetarëve për të kryer ndonjë punë në Administratën Vendore, vetëm një u publikua në gjuhën shqipe. Kjo analizë tregoi edhe se, asnjë udhëzues për qasje të lirë në informatanuk u publikua në gjuhën shqipe.
Problemi i përdorimit të gjuhës shqipe në Komunën e Ulqinit jo rrallë mori edhe konotacion politik. Shpesh gjatë vitit 2017, sipas deklaratave në media, disa klube të këshilltarëve kanë kushtëzuar pjesëmarrjen e këshilltarëve të partive të veta në seancat e Kuvendit me marrjen e materialeve parlamentare në gjuhën shqipe, ndërsa në të paktën një rast u ndërpre seanca e Kuvendit për këtë arsye.
Gjuhëtari shqiptar Dr. Haxhi Shabani në librin e vet „Rrezikimi i gjuhës shqipe“ konkludon se përdorimi i gjuhës shqipe në Ulqin nga ana e popullsisë e cila e flet këtë gjuhë është shumë më i ulët tani se para 10 apo 15 vitesh. Sipas mendimit të tij, ky fenomen ndodh sepse komunikimi i shkruar gjithnjë e më shumë zëvendësohet nga gjuha malazeze, ndërsa shfrytëzimi i gjuhës shqipe bëhet vetëm gjatë të folurit në mes shqiptarëve.
Mendim të ngjashëm ka edhe Mr. Ismet Kallaba, gazetar i të përjavshmes „Koha Javore“ dhe profesor në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Shkodrës, i cili në tekstin e tij autorial „Gjuha shqipe e nëpërkëmbur“ shkruan se në praktikë përdorimi institucional i gjuhës shqipe në jetën publike nuk është jetësuar, madje as në institucionet dhe organet e administratës vendore në komunat ku shqiptarët janë shumicë ose përbëjnë pjesën e konsiderueshme të popullsisë.
Këtu duhet rikujtuar faktin se sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit i popullsisë, të cilin MONSTAT e ka bërë në vitin 2011,70,66% e popullsisë në Komunë e Ulqinit janë shqiptarë, ndërsa për 72,04% të banorëve të kësaj komune gjuha shqipe është gjuhë amtare.
Publikimi i këtij teksti është pjesë e projektit „Gjuha ime – gjuhë e barabartë“ të cilin e realizon OJQ „Horizonti i Ri“ në partneritet me OJQ „UL info“. Projekti mbështetet nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve e Malit të Zi, në kuadër të Programit për zhvillimin dhe avancimin e të drejtave të popujve pakicë dhe bashkësive tjera etnike. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e donatorit.