“Ëndrrat rinore lulojnë si pemët në pranverë e kur ato gërshetohen me motivet e vendlindjes dhe atdheut, sikur marrin një forcë të veçantë. Por jo vetëm ëndrrat rinore, jo vetëm Ulqini i saj, por edhe Buna e Drini, edhe Rozafa e gegnishtja, i zgjojnë asaj frymëzime të vazhdueshme”, ka theksuar shkrimtari Skënder Temali, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës.Shkodër – Pas përurimit të librit në qytetin e saj në Ulqin, krijuesja e re Flutur Mustafa ka përuruar të premten me date 28.02.2015, vëllimin e saj me poezi “Përtej lajthitjes” në Bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër. Duke folur mbi librin, shkrimtari Skënder Temali, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, ka thënë se ëndrrat rinore lulojnë si pemët në pranverë e kur ato gërshetohen me motivet e vendlindjes dhe atdheut, sikur marrin një forcë të veçantë. “Por jo vetëm ëndrrat rinore, jo vetëm Ulqini i saj, por edhe Buna e Drini, edhe Rozafa e gegnishtja, i zgjojnë asaj frymëzime të vazhdueshme”, ka theksuar ai. Për Temalin, poezitë më të arrira të librit janë disa ku autorja rreket të trajtojë problemet e kohës dhe shqetësimet botërore.
Në fjalën e tij, studiuesi dhe përkthyesi Zija Vukaj ka thënë ndër të tjera se ky libër përbën hapin e parë të poetes dhe se jemi në preludin e krijimtarisë letrare. Sipas tij, poezitë e Mustafës janë shumë të realizuara. “Jemi përballë një poeteje të ardhshme dhe ky është një premtim për vepra edhe më serioze”, ka vlerësuar ai. Pedagogu i psikologjisë së artit, Qamil Gjyrezi, duke iu referuar mendimit të Karl Jungut se “arti nuk është neurozë”, është shprehur se lajthitja e autores është artistike dhe se ai mendon që nëpërmjet artit të saj dhe simbolikave, autorja është përpjekur që të përcjellë atë që ajo ndjen.
Botuesi Gazmend Çitaku ka folur për punën e Shtëpisë Botuese “Diti&Oli”, e cila e ka botuar librin, si dhe për nxitjen dhe mbështetjen e talentëve të rinj në Ulqin dhe më gjerë për të shkruar. Ndërkaq, autorja e vëllimit poetik, Flutur Mustafa, ka theksuar se me Shkodrën e lidh edhe gjaku dhe se “Shkodra është një provim që secili artist që aspiron më lart duhet ta kalojë”.
Gjatë përurimit, i cili është moderuar nga drejtori i Bibliotekës “Marin Barleti”, Gjovalin Çuni, poezi nga krijimtaria e autores kanë interpretuar aktorët e Teatrit “Migjeni” Merita Smaja, Rita Gjeka, Simon Shkreli dhe Ergys Bamçi.
Flutur Mustafa është studente në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Me krijimtari letrare merret qysh si nxënëse. Poezitë e saj janë botuar në disa revista dhe libra. Vëllimi me poezi “Përtej lajthitjes” është libri i saj i parë. (Kohapress)