Për shkak të numrit të madh të vërejtjeve Ministria e zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit të Malit të Zi, në konsultim me komunën e Ulqinit, ka vendosur që edhe për 15 ditë, gjegjësisht deri më 17 shtator, të zgjasë kohëzgjatjen e Shqyrtimit publik për Draftin e Planit hapësinor-urbanistik (PHU) të komunës së Ulqinit deri në vitin 2020, është njoftuar Portali Ul-info nga administrata lokale.
Zgjatjen e shqyrtimit për një muaj më herët e kërkuan organizatat joqeveritare duke theksuar si arsye kryesore sezonin turistik i cili po vijon në Ulqin.
Por, interesimi i qytetarëve dhe i opinionit për këtë dokument planifikues i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë. Shumë vërejtje janë të karakterit thelbësor, kështu që përpunuesve iu duhet shumë më shumë kohë jo vetëm që të përgjigjen në to, por edhe ti përshtatin më vonë në Propozimin e këtij akti në mënyrë që të bëhet i pranueshëm për numrin më të madh të njerëzve në këtë komunë.