Koalicioni qeverisës në Ulqin nuk ka më perspektivë pasi që URA ka vendosur ta dal nga ai. Negociatat për rikompozim të pushtetit janë në vijim, pohon televizioni PINK M.
Lideri i Partisë demokratike Fatmir Gjeka ka thënë se ia kanë dërguar propozimin PDS-së. “Përgjigjen e pres në fund të janarit ose fillim të shkurtit. Të gjejmë ndonjë zgjidhje: ose do të kemi rikompozim ose zgjedhje të reja. Thjesht, kështu më nuk shkon, nuk funksionon”, tha ai dhe theksoi se arsyeja e mosfunksionimit është sjellja e Forcës e cila ka bllokuar 80 vendime të cilat ekzekutivi ia dërgoi Kuvendit komunal për miratim.
Pink-u thekson se as në Forcë nuk kanë dilemë kur bëhet fjalë për ofertën për negociata. Kryetari i kësaj parti Nazif Cungu tha se partia e tij ka marrëveshje të koalicionit me PDS-në në nivel shtetëror. “Sigurisht, pres që pikat nga kjo marrëveshje të realizohen sa më parë. Është e sigurt që ekzistojnë mundësi të bisedimeve edhe rreth themelimit të pushtetit lokal në Komunë të Ulqinit”, shtoi ai.
Deputeti Dritan Abazoviq tha se URA nuk dëshiron të jetë pjesë e pushtetit jofunksional dhe as mjet i tregtisë së Cungut dhe Gjekes me PDS-në.