Një studim tjetër shumë i rëndësishëm se si funksionojnë kulturat është Shpikja e traditave (The Invention of Traditions), redaktuar nga historiani Erik Hobsbaun. Ideja e një kulture dhe një qytetërimi si diçka e qëndrueshme dhe fikse është hedhur poshtë plotësisht nga nocioni se si mund të shpiken, prodhohen traditat për ndonjë rast specifik. Domethënë traditat nuk janë vërtet gjëra të qëndrueshme por më tepër abstraksione që mund shumë lehtë të krijohen, shkatërrohen, manipulohen e kështu me radhë.
Saidi e ka argumentuar në disa nga veprat e tija se ajo që përshkruhet si islam në Evropën e sotme dhe në Shtetet e Bashkuara, për shembull, i përket diskursit të orientalizmit, një ndërtim i sajuar për të nxitur ndjenjat e armiqësisë dhe antipatisë kundër një pjese të botës, që ndodh të jetë me rëndësi strategjike për naftën, sikur rival që kërcënon krishterimin.
Megjithatë, kjo dallon shumë nga mënyra se si myslimanët, që jetojnë brenda domenit të islamit, e përjetojnë atë në të vërtetë. Ka një dallim domëthënës midis islamit në Indonezi dhe islamit në Egjipt. Nëse fokusoheni te një pikë, në Egjipt apo diku tjetër, ku fuqitë laike të shoqërisë janë në konflikt me lëvizje të ndryshme protestuese dhe reformatore islamike për natyrën e islamit, në rrethana të tilla gjëja më e lehtë dhe më pak e saktë është të themi: “Kjo është bota e islamit, dhe shikoni se si janë të gjithë terroristë dhe fundamentalistë dhe shikoni gjithashtu se sa të ndryshëm, sa të paarsyeshëm janë, në krahasim me ne”.
Por pjesa më e dobët tezës së përplasjes së kulturave e qytetërimeve është ndarja e ngurtë e supozuar mes qytetërimeve pavarësisht provave dërrmuese se bota e sotme është, në fakt, një botë përzierjesh, migrimesh dhe e kufijve të hapur. Sot shumë vende kanë kuptuar se asnjë kulturë apo shoqëri nuk është thjesht vetëm një gjë.
Pakicat me numër të konsiderueshëm si afrikano-veriorët në Francë, popullata indiane në Britani, elementët aziatike dhe afrikane në SHBA, kontestojnë idenë se qytetërimi, që u krenonte me homogjenitetin e vet, mund të vazhdojnë ta bëjnë këtë në të ardhmen. Nuk ka kulturë apo qytetërime të izoluara. Çdo përpjekje e bërë për t’i ndarë ato në njësi të ngushta, e pretenduar nga Hantingtoni dhe të ngjashmit e tij, dëmtojnë shumëllojshmërinë e diversitetin e tyre, kompleksitetin e plotë të elementeve të tyre, hibriditetin e tyre radikal. Sa më këmbëngulës të jemi në veçimin e kulturave, aq më të pasaktë jemi për veten tonë dhe për të tjerët.
Pyetja e vërtetë është nëse në fund duam të punojmë për të veçuar qytetërimet ose duhet të marrim rrugë më të vështirë, integruese, që është përpjekje për ti parë ato si një tërësi të madhe.
Shumë më produktiv dhe më i dobishëm është një mentalitet i ri global apo ndërgjegjje që i sheh rreziqet me të cilat përballemi nga këndvështrimi i gjithë racës njerëzore. Këto rreziqe përfshijnë varfërimin e shumicës së popullsisë së globit, shfaqjen e ndjenjave thumbuese lokale, kombëtare, etnike dhe fetare, rënien e shkrim-leximit dhe fillimin e një analfabetizmi të ri bazuar në mënyrat elektronike të komunikimit, televizionin dhe superstraden e re globale informative, fragmentimin dhe kërcënimin e zhdukjes së rrëfimeve të mëdha të emancipimit dhe iluminizmit. Pasuria më e çmuar e jona përballë një transformimi kaq të tmerrshëm të historisë është shfaqja jo e një ndjenje përplasjeje, por një ndjenjë të komunitetit, mirëkuptimit, simpatisë dhe shpresës, që është e kundërta e drejtpërdrejtë e asaj që provokon Hantingtoni.
Në librin Kultura e imperializmi, Saidi citon poeten e madhe Aime Cesaire që thotë “puna e njeriut sapo ka filluar dhe mbetet për të mposhtur gjithë dhunën e ngulitur në skutet (fshehtësinë) e pasionit tonë dhe asnjë racë nuk e zotëron monopolin e bukurisë, të inteligjencës, të forcës dhe ka vend për të të gjithë në vendtakimin e fitores”.
Këto vargje nënkuptojnë sentimente që përgatisin rrugën për shpërbërjen e barrierave kulturore që tashmë gjendet për shembull në lëvizjet mjedisore, në bashkëpunimin shkencor, në lëvizjen e grave dhe shqetësimin univerzal për të drejtat e njeriut, në konceptet e mendimit global që theksojnë komunitetin dhe shkëmbimin mbi dominimin racor, gjinor ose klasor.
Saidi përfundon që përpjekjet për ta kthyer bashkësinë e qytetërimeve në një fazë primitive të luftës narciste, duhet kuptuar, jo si përshkrim se si në fakt qytetërimet veprojnë, por më tepër si nxitje për konflikte të kota dhe shovinizëm demoralizues dhe kjo duket se është pikërisht ajo që nuk na nevojitet.