Pjesëmarrja e qytetarëve: TREGUES I ZHVILLIMIT TË DEMOKRACISË VENDORE

 

Pjesëmarrja e qytetarëve në jetën shoqërore nënkupton përfshirjen e tyre aktive në procesin e vendimmarrjes për çështjet që kanë të bëjnë me jetën e tyre. Prandaj pjesëmarrja qytetare është një nga treguesit më të rëndësishëm të shkallës së zhvillimit të demokracisë në një shoqëri.

Pjesëmarrja e qytetarëve në proceset shoqërore, para së gjithash, mundësohet me ligje dhe akte tjera juridike si dhe me posedimin e informatave të plota e në kohën e duhur. Tashmë është bërë rregull që qytetarët do të vendosin të marrin përgjegjësitë dhe të angazhohen në jetën shoqërore e politike, vetëm nëse disponojnë informata relevante të mjaftueshme të cilat do t’u mundësojnë pjesëmarrjen aktive dhe efikase.

Kur bëhet fjalë për punët nga fushëveprimi burimor i organeve të pushteti, të cilat përfshijnë planifikimin strategjik dhe vendimmarrjen, është e nevojshme të bëhet një hap më tej nga një njoftim i thjeshtë i qytetarëve, si për arsyet e hartimit të vendimeve ashtu edhe për miratimin e tyre. Kjo nënkupton një formë të veçantë të transparencës së administratës publike për pjesëmarrjen e qytetarëve (të vepruarit proaktiv) si dhe ekzistimin e masave të veçanta për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, posaçërisht në nivelin lokal.

ILUSTRIMI 1 (1)

Pjesëmarrja e qytetarëve dikur ishte e kufizuar vetëm me votim në zgjedhje, por me zhvillimin e proceseve dhe të institucioneve demokratike u zhvilluan edhe shumë forma të tjera të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Si shembuj mund të përmendim nënshkrimin e peticioneve ose ankesave, pjesëmarrjen në shqyrtimet publike, shprehjen e pakënaqësisë në tubimet publike, etj.

Sipas studimit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), varësisht nga shkalla e pjesëmarrjes së qytetarëve, mund të veçohen tri faza të krijimit të politikave publike. Faza e parë është informimi, e dyta konsultimi, kurse faza e tretë është pjesëmarrja aktive e qytetarëve. Kjo fazë përfshinë miratimin e vendimeve, krijimin e politikave dhe llogaridhënien e personave përgjegjës.

Me zhvillimin e teknologjive moderne, koncepti i e-demokracisë dhe e-pjesëmarrjes po zhvillohet gjithnjë e më intensivisht, si një segmenti i veçantë që forcon kapacitetin e përgjithshëm demokratik të një shoqërie. Qëllimi është që të sigurohen mekanizma të ndryshëm në mënyrë që zëri i qytetarëve të dëgjohet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe më fuqishëm.

Në Ministrinë e Administratës Publike të Malit të Zi theksojnë se po punojnë në fuqizimin dhe motivimin e qytetarëve që përmes servisit e-pjesëmarrja të rregullojnë jetën publike, me qëllim që në mënyrë më të thjeshtë e pragmatike të marrin pjesë në të gjitha çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e tyre qytetare; që në mënyrë aktive të marrin pjesë në hartimin e ligjeve dhe dokumenteve tjera strategjike si dhe të shprehin mendimet e pikëpamjet e veta në diskutimet publike.

ILUSTRIMI 2

Në Statutin e Komunës së Ulqinit (neni 148), të miratuar pak kohë më parë, përcaktohet që Komuna “krijon kushte, inkurajon dhe ndihmon pjesëmarrjen e popullatës në ushtrimin e vetëqeverisjes vendore përmes formave të ndryshme të pjesëmarrjes së popullsisë në deklarimin dhe vendimmarrjen e çështjeve me interes të përbashkët. Qytetarët marrin pjesë drejtpërsëdrejti në deklarim dhe vendimmarrje: me iniciativë, iniciativën qytetare, në tubimin e qytetarëve dhe referendumin (komunal dhe vendor)“.

Të gjitha këto instrumente, me përjashtim të referendumit lokal, janë përdorur në dekadën e fundit nga qytetarët e Komunës së Ulqinit, si rrjedhojë e një veprim aktiv dhe të drejtpërdrejtë të organizatave të shoqërisë civile në këtë komunitet.

Teksti u hartua në kuadër të projektit “ZËRI IM NË KOMUNËN TIME”, të cilin e realizon OJQ Horizonti i Ri në partneritet me OJQ “Ul info” dhe Bibliotekën e Qytetit – Ulqin. Projekti mbështetet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, në kuadër të programit “e-Demokracia – merr pjesë, propozo, ndrysho”, në fushën e reformës së administratës publike. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e donatorit.Projekat, Projekti, Logo, Disclaimer

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi