“Me nënshkrimin e Planit të sanimit kemi fituar të drejtën për riprogramimin e detyrimeve ndaj shtetit në periudhën prej pesë viteve dhe ne tani çdo muaj paguajmë diçka më shumë se 40 mijë euro”, deklaroi kryetari i komunës së Ulqinit Nazif Cungu.
Ai tha që me nënshkrimin e këtij dokumenti me Qeverinë e Malit të Zi, gjegjësisht me Ministrinë e financave, komuna e Ulqinit fitoi të drejtën për përdorimin e mjeteve kreditore madje edhe për shpenzime operative. “Për këtë arsye ne tashmë kemi përgatitur ndryshimet e buxhetit me qëllim që të sigurojmë mjetet në mënyrë që borxhin e plotë, duke përfshirë edhe atë ndaj punëtorëve, ta bëjmë zero”, tha ai.
Sipas fjalëve të tija, ekzistojnë edhe detyrimet e komunës që rrjedhin nga Plani i sanimit. “Kështu, për shembull, gjatë punësimit të punëtorëve të rinj duhet të ekzistoj dhe pëlqimi i Ministrisë, si dhe çdo tremujorësh të kemi kontrolle nga ana e këtij resor”, tha ai duke shtuar që nëse komuna arrin që të siguroj mjetet të cilat i ka borxh automatikisht mund të vij deri tek ndërprerja e Planit të sanimit.
Ky dokument është nënshkruar me 11 qershor, ndërsa disa parti kanë thënë që me këtë praktikisht është vendosur falimentimi në komunë.