Plastika në detin tonë: PËRFITIM AFATSHKURTËR PËR NJERËZIT, DËM AFATGJATË PËR EKOSISTEMIN

Aktivisti më i vjetër ekologjik në Ulqin, Xhelal Hoxhiq, pohon se në shtratin e Portit Milena janë depozituar mbi 30 mijë ton mbeturina ndërtimore dhe të rrezikshme, me prani të metaleve të rënda, kimikate toksike dhe vajra motorike.

Port Milena, një lagunë e mrekullueshme në hyrje të Plazhit të Madh të Ulqinit, për dekada ishte një strehë e sigurt për anijet dhe rezervuari më i madh i peshkut në Mesdhe. Njihej në mbarë Evropën për kalimerët e tij, shtëpizat unike të pajisura me rrjeta për kapjen e peshkut, sepse fotografoheshin nga çdo turist që vinte në Ulqin.

Por prej vitesh ajo është një pikë e zezë ekologjike e kësaj komune, një deponi përmes të cilës në detin Adriatik arrijnë sasi të mëdha mbeturinash të ndryshme, kryesisht plastike.

Mbeturinat në Port Milenë

Testet e kryera nga Ndërmarrja Publike për Administrimin e Të Mirave Detare shpeshherë tregojnë se pikërisht në këtë lokalitet, si dhe në grykëderdhjen e lumit Buna në det, cilësia e ujit të detit është e dobët.

Dhe kjo ishte një nga arsyet kyçe që Ulqini këtë vit, më në fund, filloi projektin e rregullimit të kanalizimit dhe ujërave të zeza për të ndaluar ndotjen e detit dhe ruajtur burimet më të rëndësishmja nga të cilët varet e ardhmja ekonomike dhe çdo e ardhme tjetër e banorëve të kësaj komune. Vlera e këtij projekti, i cili financohet nga qeveria gjermane, vetëm në fazën e parë i kalon 20 milionë euro.

Deponitë në det

Situata është e ngjashme edhe në lumin Buna ku uji dikur ishte i pijshëm, kurse sot është kryesisht i kategorisë së tretë.

“Në vitin 2002, cilësia e ujit ishte e kategorisë së parë. Mirëpo, pas shtatë vitesh, tejdukshmëria dhe ngjyra e ujit pranë grykëderdhjes është keqësuar në mënyrë drastike”, paralajmëruan në vitin 2009 ekspertët gjerman të cilët kanë hartuar planin e mbrojtjes së deltës së Bunës.

Fatkeqësisht, gjermanët nuk kishte kush t’i dëgjonte, aq më pak të reagonte, kurse numri i shtëpizave të ndërtuara në pronën publike në brigjet e Bunës vetëm është rritur, e si rrjedhojë edhe sasia e mbeturinave në këtë lum dhe në det.

“Peshk ka gjithnjë e më pak, prandaj mendoj se është e arsyeshme frika që së shpejti në det do të kemi më shumë plastikë sesa peshk”, thotë zhytësi i njohur nga Ulqini Adi Karamanaga.

Ai pohon se në shtratin e detit ka gjithnjë e më shumë mbeturina plastike dhe se prej vitesh nuk ka aksione të organizuara për largimin e tyre, respektivisht dërgimin e tyre në deponinë e përbashkët rajonale “Mozhur”, e cila gjendet në mes të Ulqinit dhe Tivarit.

Zhytësi në det, Adi Karamanaga

Sipas rezultateve të studimit pesëvjeçar të Institutit për Biologjinë e Detit nga Kotorri, u konstatua se në thellësinë nga 50 deri në 65 metra, ndërmjet Ulqinit dhe Tivarit, gjendet një nga sasitë më të mëdha të mbetjeve plastike në pjesën malazeze të Adriatikut. Gjithashtu thuhet se sasia e mbeturinave në plazhet malazeze 20 herë e tejkalon “vlerën e lejuar të pragut”, të përcaktuar në nivel të Bashkimit Evropian, e në bazë të cilit bregdeti konsiderohet të jetë në gjendje të mirë, si dhe se nuk jemi më mirë as sipas parametrave të programit të OKB-së për mjedisin natyror për zonën e Mesdheut, vlerat e të cilit i tejkalojmë tetë herë.

Anketimi i qytetarëve (ECR) i realizuar nga Portali Ul-info për nevojat e shkrimit të këtij artikulli ka treguar se qytetarët e Ulqinit nuk janë mjaft të njoftuar me këtë problem. Pra, edhe pse ata janë të bashkuar në mendimin se autoritetet nuk po bëjnë sa duhet për të luftuar ndotjen e detit dhe e dinë se plastika, nëse gëlltitet, ka pasoja të rrezikshme për shëndetin e njeriut, vetëm pak më shumë se gjysma e të anketuarve thanë se e dinin se plastika përbën rreth 80 për qind të mbeturinave në Adriatik dhe se shtatë nga dhjetë peshq kanë (mikro)plastikë brenda tyre.

Numri më i madh i të anketuarve fajësuan Qeverinë e Malit të Zi dhe Ndërmarrjen Publike për Administrimin e Të Mirave Detare për këtë gjendje.

Është sigurisht interesante që praktikisht asnjë nga të anketuarit nuk denoncoi tek autoritetet kompetente incidente të hedhjes së plastikës.

Pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në anketë besojnë se përdorimi i qeseve plastike duhet të ndalohet në Mal të Zi dhe shprehën gatishmërinë e tyre për zëvendësimin e të gjitha llojeve të sendeve plastike njëpërdorimshe me alternativa më ekologjike.

Mbeturinat edhe nga Shqipëria

Në mesin e 10 llojeve më dominuese të mbeturinave në plazhet e Ulqinit, fundçet e cigareve janë më të përqendruara, pasuar nga kapakët, shishet, tapat dhe ambalazhet plastike.

“Bregdetin e shëmtuam me beton, kurse detit tonë, nëse nuk bëjmë diçka shpejt, i kanoset fati edhe më i keq. Ne ende shohim një sipërfaqe jashtëzakonisht të bukur, një muzg romantik dhe ndoshta më i bukuri në planet, por as që mund ta paramendojmë çfarë fshihet nën sipërfaqe. Shtrati i detit është nën presion shumë të lartë”, paralajmëron Karamanaga.

Plastika, e papenguar, vjen në det nga të gjitha anët. Ata që çdo ditë janë në det shohin sasi të mëdha të plastikës të cilat i lënë pas vetes detarët dhe peshkatarët e papërgjegjshëm, por edhe turistët e pandërgjegjshëm. Analiza e mbeturinave që është bërë për nevojat e shkrimit të këtij artikulli tregon se rreth 30 për qind mbeturinave plastike që gjenden në Adën (Ishullin) e Bunës dhe në Plazhin e Madh ka prejardhje nga Shqipëria, nga ku vjen përmes Bunës ose rrymave detare.

Derisa në tokë rritet ndërgjegjësimi për pasojat e dëmshme të plastikës, ajo rrezikon shumë ekosistemin detar, por edhe shëndetin e njerëzve. Bëhet fjalë për mikroplastikë që është e padukshme për syrin e njeriut, por të cilën peshku, si materie që nuk shpërbëhet, e përpinë si ushqim e pastaj, me konsumin e këtij peshk, e njëjta plastikë të cilën njerizët e hudhin në mënyrë të pandërgjegjshme përfundon në organizmin e njeriut. Gjithashtu, me dekompozimin e mikroplastikës çlirohen aditivët dhe toksinët e absorbuar nga mjedisi natyror të cilët kanë një efekt të dëmshëm në shëndetin e organizmave detarë.

Poster @Portal Ul-info

Sipas vlerësimit të institucioneve komunale, çdo turist në Ulqin prodhon mesatarisht 0.9 kg mbeturina në ditë. Gjatë muajit gusht, siç raporton Organizata Turistike vendase, numri i turistëve të regjistruar ka kaluar rregullisht shifrën prej 40 mijë, ndërsa numri real ka qenë të paktën dy herë më i lartë.

Përndryshe, vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Malin e Zi, renditen ndër dhjetë të parët për nga kontributi që i bëjnë ndotjes së përgjithshme të detit Mesdhe me mbeturina plastike, me mesatarisht 8.7 kg plastikë të hedhur për kokë banori. “Këto shifra janë, kryesisht, pasojë e administrimit të dobët të mbeturinave”, vlerësohet në raportin e Unionit Ndërkombëtarë për Mbrojtjen e Natyrës (shkurtesa në anglisht: IUCN) me titull: “Deti plastik: Mesdheu”, të publikuar në fund të vitit 2020.

Kundër dëmtuesve edhe me kamera

Të gjithë në Ulqin pajtohen se çelësi i zgjithjes së problemit të ndotjes së detit është në tokë, nga ku vijnë rreth katër të pestat e mbeturinave.

Në ndërmarrjen lokale “Veprimtari Komunale” thonë se ato merren me pastrimin dhe transportin e mbeturinave nga territori i Komunës së Ulqinit dhe që në këtë mënyrë tentojnë të parandalojnë mbërritjen e plastikës në det.

“Mirëpo, derisa Qeveria e Malit të Zi nuk kufizon përdorimin e materialeve plastike njëpërdorimshe ne jemi të pafuqishëm, më saktësisht mundemi vetëm të mbledhim këto mbeturina. Fatkeqësisht, vitet e fundit vërehet hudhja e paligjshme e mbeturinave në çdo vend, e një pjesë e materialeve plastike era i shpien në det”, thotë për Portalin Ul-info zëvendës drejtori i kësaj kompanie Aleksandër Gazivoda.

Shefi i Policisë Komunale në Ulqin, Amir Mehmeti, tha se kanë bashkëpunim shumë të mirë me Ndërmarrjen Komunale dhe se që nga fillimi i këtij viti janë shqiptuar mbi 60 gjoba për hudhjen jo të rregullt të mbeturinave.

“Gjatë këtij viti janë shqiptuar 37 gjoba për hedhjen e mbeturinave jashtë kontejnerit, kurse 26 persona janë gjobitur për krijimin e deponive ilegale”, tha ai në një deklaratë për portalin tonë.

Shefi i Policisë Komunale Amir Mehmeti

Mehmeti tha se së shpejti do të vendosen kamera vëzhguese në disa pjesë të komunës për të rritur kontrollin e deponimit të paligjshëm të mbeturinave.

Në vitet e kaluara, problemi i hedhjes së paligjshme të mbeturinave ishte veçanërisht i theksuar në brendësi të afërt të Plazhit të Madh, mirëpo situata është përmirësuar ndjeshëm këtë sezon për shkak të veprimeve të organeve dhe institucioneve komunale (grumbullimi i mbeturinave të depozituara, gjobat dhe rritja e kontrollit).

Leverdia e dëmtuesve ishte e qartë: nëse vetëm katër kontejnerë me mbeturina hidhen ose digjen ilegalisht në ditë, 100 euro nuk i paguhen “Veprimtarive Komunale” për grumbullimin e mbeturinave. Duke pasur parasysh se kjo ka zgjatur me vite dhe se nuk ka pasur reagime nga institucionet kompetente, ka pasur vend për dyshime se bëhet fjalë për korrupsion. Deri pak kohë më parë (shih: Rasti i „Royal beach“).

Njëjtë sikur shumica e mbi 650 pronarëve të shtëpizave në brigjet e lumit Buna nuk kishin kontratë me ndërmarrjen komunale të Ulqinit për largimin e mbeturinave dhe pagesën e shërbimeve mbi këtë bazë, kështu që më së shpeshti ato përfundonin në lumë, e më pas në det.

Klasifikimi i mbeturinave, riciklimi, edukimi…

Përveç aksioneve të zhytjes, në “Veprimtaritë Komunale” besojnë se më në fund duhet të fillohet edhe me klasifikimin dhe riciklimin e mbeturinave.

“Mirëpo, derisa të formohen qendrat për riciklim, çdo bisedë për klasifikimin e mbeturinave është e tepërt. Asgjë nuk fillohet nga fundi. Për të pasur klasifikim të suksesshëm të mbeturinave duhet së pari të fillohet me arsimimin e qytetarët pikërisht për klasifikimin e mbeturinave”, pohon Gazivoda.

Sipas fjalëve të ekologut Hoxhiq, ka ardhur koha që si shoqëri t’i japim fund këtij kaosi dhe në interesin tonë më të madh të shpëtojmë Portin Milena, lumin Buna dhe detin tonë nga anarkia, shkaku i së cilës ju kanoset katastrofa ekologjike dhe ajo e sigurisë.

“Në fund të fundit , nuk është fajtor materiali, por njerëzit që e përdorin, prandaj është e nevojshme të ndryshohen shprehitë në afat të gjatë”, thotë Hoxhiq.

Ekologu Xhelal Hoxhiq

Ai kujton se në fund të vitit 2019 është miratuar Ligji për mbrojtjen e mjedisit i cili u harmonizua me direktivat më të rëndësishme evropiane për ruajtjen dhe avancimin e mjedisit detar, prandaj është e pritshme që së shpejti në Mal të Zi të ndalohet përdorimi i qeseve plastike njëpërdorimshe dhe në atë mënyrë të rritet vetëdijësimi ekologjik i të gjithë qytetarëve.

Kryetari i Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari thekson faktin se 50 për qind e plastikës shfrytëzohet vetëm një herë nga njerëzit, ambienti ndotet në mënyrë të pakthyeshme, kurse dëm i madh i shkaktohet tërë ekonomisë.

“Që nga kohrat e lashta, deti ka luajtur një rol të madh për Ulqinin përmes peshkimit dhe detarisë, kurse sot është edhe më i madh sepse lidhet drejtpërdrejt me turizmin, si degën tonë më të fortë ekonomike”, thotë ai dhe përfundon: “Me një sërë masash që po ndërmerren apo do të ndërmerren në nivel shtetëror dhe lokal, individualisht dhe si shoqëri na mbetet që vetëdija dhe ndërgjegjja të na shtyjë të heqim dorë nga disa artikuj të konsumit dhe të përshtasim shprehitë tona për të reduktuar ndotjen e mjedisit dhe zvogëluar ndotjen e ambientit dhe pasojat e dëmshme për të gjitha qeniet e gjalla”.

Mustafa CANKA

Rasti i “Royal beach”

Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Ulqinit, në fund të gushtit Ndërmarrja Publike për Administrimin e të Mirave Detare mori vendimin për shkëputjen e Kontratës për qiramarrjen e plazhit “Royal beach” në Plazhin e Madh.

Ky sanksion rigoroz vijoj pas hedhjes së pakontrolluar dhe djegjes së mbeturinave në brendësi dhe në dunat e këtij plazhi në fillim të këtij muaji.

Deponia e djegur në “Royal beach”

Për të njëjtën arsye, Policia Komunale shqiptoi gjobën prej 700 euro, kurse Drejtoria për Punë Inspektuese prej 2.600 euro.

Duke konstatuar se është e papranueshme dhe për çdo dënim kjo sjellje dhe mënyrë e punës e qiramarrësit të plazhit “Royal beach”, kryetari Bajraktari tha për Portalin Ul-info se nuk do të tolerohet hedhja e paligjshme e mbeturinave dhe djegja e tyre. “Djegja e mbeturinave plastike është shumë toksike dhe ndot ajrin e njëkohësisht shkatërron dunat dhe hapësirën e mbrojtur duke rrezikuar edhe zjarret e përmasave të mëdha“, tha kryetari i Komunës së Ulqinit.

Mustafa CANKA

* Projekat – Society Against Corruption in Montenegro – Project Partners: Balkan Investigative Reporting Network and Civic Alliance

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Silver Korda: ENVERI PEKU – JETA TIJË MANEKENE

Bashkëvendasi jonë, Ulqinaku, Enver PEKU, kah viti 1970 emigroj në Zvicër, në Cyrih, ku sikurse edhe shumica Ulqinakve punoj vitet e para në gastronomie, hotelieri, e njëkohësisht angazhohet dhe aftësohet për  modelim. Vitin 1978 u