Policia e Ulqinit të premten, në bashkëpunim me Organizatën Turistike, me aksion modest kanë shënuar 8 marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
“Ne përfaqësueseve të gjinisë më të bukur të cilët ishin në kundërvajtje në vend të gjobës, me paralajmërim, ia dhuruam karafilat”, tha drejtuesi i Sektorit për Komunikacion pranë Policisë së Ulqinit Aleksa Koçoviq.
Policët Sinisha Dulloviq dhe Petar Vojvodiq, së bashku me zyrtarin e OT-së Beqir Zatin, i dhuruan grave, pjesëmarrëse në komunikacion, rreth 100 lule.
Në aksion ishin të pranishëm shefi i Departamentit Policor në Ulqin Arben Tagani dhe shefi i policisë Nikolla Tomoviq.
Koçoviq tha se gjendja e sigurisë së komunikacionit në Ulqin është në nivel të kënaqshëm dhe shprehu pritshmërinë se këtë sezon komunikacioni në Ulqin do të jetë më mirë i rregulluar.