Porto Milena: LAGUNA PITORESKE KTHEN NGADALË SHKËLQIMIN E DIKURSHËM

Porto Milena e Ulqinit, simboli i dikurshëm i qytetit në fillim të Plazhit të Madh, pas dekadash shkatërrimi, po merr një pamje të re. Nga një njollë e zezë ekologjike, ajo sërish po bëhet një nga lokacionet më atraktive në Ulqin.

“Ulqini ka hyrë në fazën e re të zhvillimit. Kjo pasqyrohet në vleren e investimeve në të gjitha fushat, sidomos në infrastrukturë, që rezultojnë me zgjidhjen e problemeve që qytetarët dhe turistët kanë shtruar kaherë”, thotë nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sellaj.

Ai është i bindur se kjo vihet re më së miri në fillim të Plazhit të Madh, përreth kanalit të Porto Milenës, zonë që po merr pamje krejtësisht të re, pasi, siç shprehet ai, po fillon ndërtimi i disa hoteleve të kategorisë së lartë dhe po rregullohen problemet e ujërave të zeza.

“Për dekada me radhë, ky vend ishte bomba ekologjike më e madhe në Adriatik. Tani është përsëri një vend i preferuar për banorët e Ulqinit dhe mysafirët”, thekson Sellaj.

Sipas fjalëve të ekologut të njohur nga Ulqini, drejtorit ekzekutiv të OJQ Hapi i Gjelbër, Xhelal Hoxhiq, ky është gjithashtu edhe borxhi ynë ndaj historisë. Sepse, ky kanal prej vitit 1885 mban emrin e princeshës malazeze, më vonë mbretëreshës Milena Petroviq-Njegosh.

Stampedo në brigjet e kanalit

Porto Milena (Porto Algirani) ka qenë gjatë historisë një strehë e sigurt për anijet dhe “baseni” më i madh i peshkut në Mesdhe. Është bërë e njohur në të gjithë Evropën për kalimerat, shtëpizat unike me rrjeta peshkimi, pasi secili turist që vinte në Ulqin i fotografonte ato.

Me daljen e lumit Buna nga shtrati, porti dhe kanali ishin të lundrueshëm deri në vitin 1930. Pas ndërtimit të Kripores në vitin 1934, kur për sigurinë e saj u ndërtua penda përgjatë brigjeve të Bunës, u ndërpre pastrimi i portit dhe i kanalit me ujë lumor.

Pas tërmetit të rëndë në vitin 1979, filloi ndërtimi intensiv përreth kanalit, më saktë një stampedo i vërtetë. Uzurpimi i bregut të tij u ndoq nga mbushja e kanalit me gur e dhe, derdhja e ujërave të zeza nga ndërtesat përreth (hotelet, pushimoret, restorantet, shtëpitë, serviset e automjeteve…), të cilat shkarkoheshin aty drejtpërdrejt ose indirekt, përmes përrenjve Braticë dhe Brdele. Ujërat e këtyre përrenjve janë ndotësit kryesorë të Porto Milenës, pasi aty derdhet pjesa më e madhe e kanalizimit të qytetit.

Banorët e Ulqinit që jetojnë pranë këtyre kanaleve kanë apeluar për vite me radhë tek autoritetet lokale dhe shtetërore  që të ndërmarrin masa urgjente për pastrimin e këtyre kanaleve që ishin bërë deponi të vërteta, por pa shumë sukses. Intervenimet sporadike janë bërë nga punonjësit e ndërmarrjes “Veprimtari Komunale”.

Nënkryetari Sellaj thekson se Komuna e Ulqinit ka nënshkruar kohët e fundit një Memorandum bashkëpunimi me Fondin për Mbrojtjen e Mjedisit të Malit të Zi (Eko Fond), ku është paraparë bashkëpunimi për realizimin e projekteve dhe veprimtarive të përbashkëta për përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe mbrojtjen e mjedisit në territorin e kësaj vetëqeverisje lokale.

“Qëllimi kryesor i nënshkrimit të këtij dokumenti është organizimi i aksioneve të përbashkëta për pastrimin e kanalit të Porto Milenës, të cilat Fondi Ekologjik dhe Komuna e Ulqinit i kanë përfshirë në programet e tyre vjetore të punës”, shton ai.

,,Gjerësia mesatare e Porto Milenës dikur ishte nga 80 deri në 120 metra, ndërsa sot në disa vende gati-gati mund të kapërcehet. Ky është tregues i pafuqisë së autoriteteve shtetërore dhe komunale. Ne kemi nevojë për një konsilium profesional, jo zgjidhje politike, sepse Porto Milena është e sëmurë rëndë”, thotë Hoxhiq.

Vlera e tokës së uzurpuar është mbi 10 milion euro

Studimi i kryer nga kompania “Etalon geo office” tregon se me ndërtimin e objekteve dhe zgjerimin e oborrave përmes mbushjes së kanalit me dhe e gur, sipërfaqja e kanalit të Porto Milenës është zvogëluar për 62,000 metra katrorë në gjysmëshekullin e fundit. Brigjet e kanalit në dy kilometra të fundit drejt grykëderdhjes, në mesatare, janë ngushtuar për rreth 31 metra.

Sipas këtij hulumtimi, vlera totale e tokës së uzurpuar tejkalon 10 milionë euro.

Gazetës “Vijesti” iu konfirmua se metrat katrorë të tokës së krijuar artificialisht janë pronë e Qeverisë së Malit të Zi në regjistrat kadastralë. Kjo do të thotë se pronarët e pasurive dhe shtëpive përreth nuk janë pronarë, por vetëm përdorues të tokës së mbushur. Objektet e ndërtuara në sipërfaqen që dikur i përkishte rrjedhës së kanalit, në listën e pasurive të paluajtshme janë të shënuara si – të ndërtuara në pronën e huaj.

Situata është bërë veçanërisht e vështirë si pasojë e shkarkimit të pjesës më të madhe të kanalizimit të qytetit në këtë kanal, duke e shndërruar atë një nga bombat më të mëdha ekologjike në Gadishullin Ballkanik. Peshku gati-gati u zhduk, kalimerat ishin në rrugën e rrënimit, ndërsa kjo zonë, veçanërisht gjatë verës, kundërmonte erë të padurueshme. Ishte e qartë për të gjithë: derisa kjo bombë ekologjike të zhduket, ka pak gjasë që gjithë Ulqini të “fillojë të marrë frymë”.

Një studim i Qeverisë së Malit të Zi nga viti 2013 nënvizonte se Porto Milena është problemi më jetik në jug të vendit, duke theksuar nevojën për heqjen e llumit të kontaminuar nga ky kanal.

“Me përfundimin e punimeve për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit për disa lagje periferike, projekt i realizuar me përkrahjen e Bankës Evropiane për Investime, me një vlerë prej pesë milionë euro, gjendja në Porto Milenë do të përmirësohet për rreth 70 për qind”, pohon sekretari për investime në administratën lokale, Minir Karamanaga.

Pritet që gjendja të normalizohet plotësisht vetëm pas realizimit të projektit të riparimit të plotë të rrjetit të kanalizimit dhe të ujësjellësit në Ulqin, i cili po realizohet përmes kredisë nga Banka Gjermane KfW, dhe që vetëm në fazën e parë arrin vlerën prej mbi 20 milionë euro.

Porti i peshkatarëve dhe ripërtëritja e kalimerave

Në grykëderdhjen e Porto Milenës në det do të ndërtohet një portë peshkimi, i cili, sipas projektit, do të ketë rreth 80 vende për ankorimin e anijeve. Në kuadër të portit është paraparë një sallë për trajtimin dhe ngrirjen e peshkut dhe 60 kabina të peshkatarëve.

Si rezultat i këtyre veprimeve dhe pritshmërive, ka nisur restaurimi i kalimerave, i cili do të financohet pjesërisht edhe nga administrata lokale. Sepse, këto pajisje tradicionale për kapjen e peshkut janë një nga simbolet e Ulqinit dhe në vitin 2017 Drejtoria e Mbrojtjes së Pasurive Kulturore e ka shpallur “peshkimin me kalimera” si “pasuri jo materiale me rëndësi lokale”.

Hoxhiq mendon se tani, pasi Kriporja është shpallur Park i Natyrës, është momenti i duhur që të mbrohet edhe Porto Milena. Sipas tij, ajo është pjesë e trashëgimisë kulturore, një brend turistik dhe ekologjik, një lokalitet ekonomikisht i vetëqëndrueshëm dhe një vend autentik arkitekturor dhe peizazhor i Ulqinit.

Edhe në anketën tonë të bërë me metodën ECR, përfundimi i përbashkët i qytetarëve të Ulqinit është se Porto Milena duhet të mbrohet dhe të mos lejohet kthimi i saj në tokë ndërtimore. Numri më i madh i atyre që morën pjesë në anketë besojnë se aty duhet të ndërtohet marina, dhe se punimet për vendosjen e tubacioneve të ujësjellësit dhe kanalizimit do të zvogëlojnë ndotjen e kanalit. Qytetarët vlerësojnë se Komuna e Ulqinit mban përgjegjësinë më të madhe për gjendjen në Porto Milenë, pastaj Qeveria e Malit të Zi, pronarët e objekteve në këtë zonë, si dhe autoritetet inspektuese.

“Pas rikonstruksionit ekologjik, do ishte më mirë që pikërisht aty të ndërtohet marina, si vend ku pronarët e barkave ulqinake, përfshirë dhe mua, për dekada me radhë kanë mbrojtur anijet e tyre në rast të motit të stuhishëm. Ajo është një marinë natyrore që mund të ketë rreth 300 vende ankorimi”, thotë kronikani i Ulqinit, Ismet Karamanaga.

Ai shton se, sipas modelit të Venedikut dhe për shkak të të gjitha karakteristikave të saja, Porto Milena duhet të jetë Canal Grande i Ulqinit.

Mustafa CANKA

 

Projekat – Society Against Corruption in Montenegro – Project Partners: Balkan Investigative Reporting Network and Civic Alliance

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi