Ulqini është mundësia më e madhe zhvillimore e Malit të Zi për vitin 2030. Ne duam që ky qytet të bëhet qendër e madhe e turizmit rajonal, njofton Qeveria e Malit të Zi.
Në këtë drejtim, të bashkërenduar me vetëqeverisjen komunale, do të bëhen një sërë hapash konkrete për rregullimin e infrastrukturës lokale, tërheqjen e investimeve dhe ndërtimin e hoteleve ekskluzive për të përmirësuar cilësinë e ofertës turistike dhe për ta bërë këtë qytet destinacion turistik gjithëvjeçar.
Edhe Plani strategjik i zhvillimit të Komunës së Ulqinit deri në vitin 2028, të cilin e miratoi vetëqeverisja lokale, rreshton dhjeta projekte për ta arritur objektivin e përcaktuar.
Duke gjykuar nga potencialet që posedon, si natyrore, ashtu edhe kulturore, Ulqini mund të bëhet realisht destinacioni turistik prijës, siç ishte përgjatë viteve 80 të shekullit të kaluar, sepse ka edhe tre përbërës të suksesit: çmimet e volitshme, produktet autoktone dhe mikpritjen e ngrohtë.
Plazhi i Madh, me 12 kilometër plazh zallor, dhe në vazhdim ishulli (Ada) unik i Bunës kanë mundësi të pakrahasueshme për zhvillim.
Shembulli i kajtsurfit e pasqyron më së miri këtë mundësi. Vitet e fundit, Ulqin është bërë destinacioni ideal për këtë sport. Plazhet e gjata ranore, deti i cekët, era dhe dielli me bollëk, ofrojnë kushte fantastike, prandaj me mijëra njerëz, kryesisht të rinj, me mundësi të mira ekonomike, vijnë në bregdetin e Ulqinit vetëm për kajtsurf.
Ulqini gjithashtu ka kushte të mira për stërvitjen e sportistëve gjatë dimrit, që do të dalin në pah sidomos pas ndërtimit të stadiumit modern dhe pallatit të sportit në Plazhin e Madh.
Mundësi e madhe është edhe turizmi shëndetësor, për shkak të klimës së përshtatshme, rërës, burimeve të ujit sulfurik, baltës shëruese në Kripore… Vlen të rikujtojmë se para më shumë se një shekulli, në vitin 1922, Qeveria e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve shpalli Ulqinin “banjë dhe sanatorium klimatik”.
Vitet e fundit, Ulqin njihet në Europë për Kriporen dhe zogjtë e saj. Nuk duhet shkuar në Afrikë për të parë flamingot dhe mbi 250 specie tjera të zogjve, por kjo kënaqësi mund të gjendet në basenet e ish-fabrikës së kripës në këtë qytet.
Gjiri i Valdanosit me ullishtën shekullore, Limani, Krruçi dhe plazhi i Grave në pyllin e Pishave janë gjithashtu oaza turistike.
(Ndër)kultura dhe trashëgimia kulturore kanë rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e turizmit, me lokalitetet siç janë Kalaja dhe Shasi (Svaç) dhe faktin që Ulqini ishte vend pelegrinazhi për të gjitha religjionet monoteiste.
Teksti u krijua në kuadër të projektit për promovimin e potencialeve të bujqësisë dhe turizmit në Ulqin, të financuar nga Ministria e Kulturës dhe Mediave në kuadër të Fondi për Inkurajimin e Pluralizmit dhe Diversitetit në Media. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e OJQ “Ul info” dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimet e Ministrisë.