Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani vlerësoi kontributin e akademikut dhe ilirologut arbënesh Aleksandar Stipçeviq me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, që i jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaj për ndihmesë të qenësishme ose kontribut madhor në mbrojtjen, forcimin apo përparimin e faktorit shqiptar kudo në botë. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dekoratën me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe përkushtimin e rrallë në zbulimin dhe hulumtimin e rrënjëve ilire të popullit shqiptar krahas dijes dhe thjeshtësisë karakteristike të një albanologu të vërtetë.”
Presidenti i Republikës vlerësoi punën dhe veprimtarinë shkencore të ilirologut të njohur me përmasa botërore, arbëneshin nga Arbanasi (Arbëneshi) – Zarë (Kroaci), Akademik Aleksandar Stipçeviq.
Dekorata iu dorëzua familjes Stipçeviq, bashkëshortes Angjelka dhe djemve të tij, nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Florjan Nuri dhe Këshilltari i Presidentit për Rajonin, Flamur Gashi.
Ceremonia e dorëzimit të dekoratës është zhvillua në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zagreb. Në këtë aktivitet, ku u nderua dhe vlerësua puna dhe kontributi i akademikut, bibliografit, albanologut dhe ilirologut të shquar kroat, Aleksandar Stipçeviq, arbënesh i Kroacisë nga Arbanasi (Arbëneshi) i qytetit Zarë, morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptar, nga Këshillat dhe Unionet shqiptare të Kroacisë, shoqata e studentëve shqiptarë, përfaqësues të komuniteteve fetare, ambasadorja e Kosovës në Zagreb, Shkëndije Geci – Sherifi dhe mikpritësi, ambasadori i Shqipërisë, Ilir Melo akademiku shqiptar Prof. Dr. Zef Mirdita, si edhe shumë të ftuar të tjerë.
Në ceremoninë zyrtare të dekorimit morën pjesë tre djemtë e Profesorit Sipçeviq si dhe zonja Angjelka Stipçeviq.
Në fjalën e saj zonja Stipçeviq pasi shprehu konsideratën më të lartë për Kreun e Shtetit shqiptar, presidentin Bujar Nishani si dhe për popullin shqiptar për vlerësimin që iu bë Profofesorit Stipçeviq, ndër të tjera theksoi: “Para dy ditësh e lajmërova në spital Shandrin (Aleksandrin) për Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu“, dhe ai me lot në sy më tha: “Sa krenar do të ndihen me mua edhe në Shqipëri, tani arbanasit e mi …”
Është kjo dekorata e dytë që Akademik prof.Dr. Aleksandër Stipçeviqit i akordohet nga Presidenti i Shqipërisë, pas dekoratës që i akordoi ish Presidenti i Shqipërisë, prof. Dr. Rexhep Mejdani, Dekoratën e artë, “Naim Frashëri”, të cilën edhe ia dorëzoi vet president i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, me motivacionin “Për kontribut në zbardhjen e historisë së ilirëve” më vitin 2001. Nisma për këtë vlerësim ishte nxitur nga agjencia e lajmeve INA dhe redaktori i saj Mehmet Latifi, i cili është i njohur për bashkëpunimin me akademikun Stipçeviq dhe ndjekjen e veprimtarisë së tij shkencore. (INA, Mehmet Latifi)