Takimi i parë me dr Simë Dobrecin (gusht 1982)
Ishte verë muaji i gushtit. Drejtori i ri (Dr Pavle Ban) ka ardhur me 16 gusht 1982. Isha në përcjelljen e punës në sektorin e pediatrisë. Koridori ishte plotë me fëmijë dhe të rritur. Personali mjekësor punonte punën e vetë.
Në hyrje të pediatrisë po u ofronte Dr Simë Dobreci. Dr Sima punonte një kohë të gjatë në Klinikën Universitare të dermatologjisë në Prishtinë. Këtu, në Ulqin e kemi njohur si luftëtar të madh për të drejtat e kombit shqiptarë. Normalisht,pushteti aktual e ka pasur “në sy”. Deri në këtë ditë me Dr Simë Dobrecin nuk kam pasur ndonjë kontakt. Kemi dëgjuar vetëm njëri për tjetrin. Dr Sima kishte ardhur që ta vizitonte Dr Kushin (Dr Shefqet Dollaku, pediatër), me këtë kishin studiuar së bashku në Beograd. Duke mu ofrua mendova “çka ma çoj këtë sot këtu. Do të shof dakush”. Kanë qenë kohë të vështira për të gjithë ne shqiptarët. Për një fjalë, për një takim të kanë akuzuar, larguar prej pune. Biseduam shkurtë . Sima më tha: ”kemi dëgjuar për punën tënde…..nuk ka rëndësi të madhe si nuk ke me qenë më drejtor. Mbahuni së bashku njëri me tjetrin”. Më vonë, prej vitit 1999 me prof.dr Simë Dobrecin do të zhvillojmë një bashkëpunim shumë të frytshëm.
(Muhammedi alejhis-selam ka thënë :
“Mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos u përçani, të jeni të bashkuar në vëllazëri, mos u përçani se me të vërtetë ata që ishin para jush u përçanë e pastaj u shkatërruan, kapuni të gjithë për litarin e All-llahut e mos u përçani“!).
Fraksioni
Pas ndodhjeve në Kosovë në vitin 1981 të gjithë ne shqiptarët në Mal të Zi kemi pasur presione të llojllojshme. Në fund të vitit 1981 për stacionin shëndetësor në Katërkollë mbërriti pajisja medicinale nga donatori Enti për mbrojtjen dhe sigurimin social të Serbisë. Në ambalazhin e një aparature një infermiere kishte shkruar “ oj Shqipëri….”, kurse mjeku rekomandimin për pacientin e kishte shkruar gjithashtu në gjuhën shqipe. Me kërkesën e komitetit të lidhjes komuniste të Ulqinit u organizua mbledhja e Partisë komuniste,dega e shtëpisë së shëndetit .Mbledhja përfundojë pa pasoja. Fillojë të flitet nëpër qytet se në shtëpinë e shëndetit ka nacionalizëm shqiptarë. Pak u shqetësova. Kanë qenë kohë të vështira. Për asgjë të kanë larguar prej pune, dënuar me burg. U takova me kryetarin e komunës së Ulqinit Marko Kalugjeroviq. Pas bisedës më tha:
“ tije i rregullt ,por në shtëpinë e shëndetit ka fraksion..”Më tha se kemi shëtitur disa herë disa mjekë, dhe kështu në gjuhën politike quhet kjo gjë.
Me të vërtetë disa herë kemi shëtitur së bashku Dr Ali Muharremi, Dr Shefqet Dollaku, Muhamed Hysa edhe unë. Për ato në komitet këto takime janë quajtur fraksion.
Nuk u frikësova
(Mbledhja e degës së partisë komuniste)
Në sistemin e monizmit Partia e lidhjes komuniste ka pasur rolin e veçantë në vendosjen, organizimin dhe jetën e përgjithshme në sipërmarrje.
Një herë, lidhur me problemet me pushime mjekësore në fillim të vitit 1983 u mbajt mbledhja në sallën e madhe të shtëpisë së shëndetit (sot aty është biblioteka). Përveç anëtareve nga shtëpia e shëndetit ka pasur delegatë edhe prej komitetit komunal të lidhjes komuniste. Një prej delegatëve ishte edhe M.Q. (1926). Ky ka qenë një njeri me autoritet, luftëtar prej luftës së dytë botërore. Gjithashtu edhe udhëheqës i suksesshëm. Fjala e tij është dëgjuar gjithmonë, dhe nuk ka lejuar që ti kundërshtohet askush. Edhe pse kemi pasur një dallim të madh sa i takon moshës, kemi pasur një bashkëpunim të mirë dhe respekt të dyanshëm. Shpesh here kam qenë në kabinetin e tij për tu konsultuar për ndonjë problem.
Pas fillimit të mbledhjes M.Q. morri fjalën dhe foli për problemet e pushimeve mjekësore. Tha se këto janë për shumë raste të paarsyeshme dhe e fajësojë edh drejtorin të mëparshëm ( GaniK.) që nuk ka qenë më energjik për zhdukjen e këtyre problemeve. U lajmëruan edhe disa anëtarë të kolektivit për diskutime. Në një moment fola edhe unë. Ndërmjet tjerave duke u dakordua se problemi i pushimeve mjekësore ekzistojnë dhe me siguri numri dhe kohëzgjatja munden të zvogëlohen,vazhdova se edhe udhëheqësit e sipërmarrjeve duhet ti zgjedhin problemet në shtëpitë e tyre. Atje, ku janë kushtet e punës më të dobëta, pagesa më e vogël, pushime mjekësore ka më tepër.
Mbledhja zgjati dhe u bë një pushim i shkurtër. U afrova M.Q. Ky ishte shumë i zemëruar dhe më tha ashpër:”nećeš ti da ispravljaš moju diskusiju…“( nuk mundesh ti të përmirësosh diskutimin tim…) U afrova, që mos të dëgjojnë edhe të tjerët dhe u përgjigja: “unë kam diskutuar ashtu si kam menduar,nuk kam asgjë personale kundër teje, por edhe ti nuk mundesh të flasësh në këtë mënyrë me mua”…Situata ishte e tensionuar.
Nuk u frikësova. H. K., punëtori jonë në kontabilitet ishte afër dhe priste çka do të ndodhë. Nuk ndodhi asgjë.
Me M.Q. nuk kemi kontaktuar disa muaj. Më vonë, jemi takuar, por jo me afërsinë e mëparshme.
Radio Titogradi dhe radio Tirana
Një herë në vitin 1984 kemi qenë së bashku me Andri Vojvodiqin duke pritur para kabinetit të drejtorit. Ky ishte i moshuar, ish koloneli i armatës Jugosllave. Si pensionist jetonte në lagjen Pinjesh në Ulqin. Vajza e tij ka qenë mjekja Dr Jelica Banoviq e cila specializoi pneumoftiziologjinë. Kemi kontaktuar dhe shpeshherë së bashku kemi referuar në takimet e shoqatës së pulmologëve të Malit të Zi. Ka qenë mjeke e mirë, komunikative. Ndihmoj si studente pas termetit me 15 prill 1979. Pas një krize shëndetësore, Dr Jelica mbaroj jetën e saj në mënyrë tragjike.
Duke biseduar Andria më tha: ”sa keq dëgjohet radio Titogradi”. Unë, duke mos menduar shumë u përgjigja: ”me siguri, por radio Tirana dëgjohet shumë mirë”.
Heshtëm të dy. Fjala doli fare kot. Kaluan disa ditë në pritje çka po ndodhë.
Nuk ndodhi asgjë. Me siguri Andri Vojvodiqi nuk ja ka përcjell fjalët e mija askujt.
Kola i moçëm
Shpesh vizitoja një pacient të vjetër në lagjen Gjerana. Kola me bashkëshorten , të dy shumë të moshuar, përpara kishin jetuar në Kollomzën e sipërme. Një kohë kanë dalë të jetojnë te vajza e dhëndri në Gjerana.
Kola kishte jetuar në moshën rinore në Stamboll dhe ka pasur kujtime të bukura nga atje.
Edhe pse i vjetër intelektin e kishte të ruajtur dhe ka qenë bashkëbisedues i mirë. Një herë më tha: „qe doktor, merre këtë libër, mua nuk më lypet ma“. Ishte një libër i vjetër për historikun e popullit shqiptarë.
Pas disa viteve erdhën kohërat e vështira për kombin tonë. Lidhur me programet arsimore në gjuhën shqipe dhe librat të cilat i kishte ndaluar pushteti i atëhershëm i burgosën disa profesorë dhe arsimtarë. Disa i dënuan në mënyra të ndryshme.
Një ditë e morra librin e Kolës dhe disa tjera në gjuhën shqipe dhe te Pazari i qytetit në kalanë e sipërme i gjuajta në bedenat e kalasë.
Nuk u çlirova, librat u zhdukën ,unë kisha një zbrazëti në brendësinë time.
(nga libri i ardhshëm:”Udhëtimi i një mjeku”)