Ca plotësime në artikullin i cili është botuar në numrin e kaluar të “Kohës javore” nga i nderuaru Ali Gjeçbritaj lidhur me shërbimin shëndetësor në Ostros. Nuk kam asnjë vërejtje, por jam i obliguar që lexuesëve ti tregojë edhe disa gjëra të cilat i takojnë ambulancës së Krajës. I bashkëngjitem mendimit sa i takon doktoreshës Ganimete Hoxha: ajo është një ndër mjekët më të sukseshëm të zgjedhur-familjar në rajonin e Tivarit dhe të Ulqinit.
Dr Ganimete Hoxha para Ambulancës së Krajës
Kjo ambulancë në vitet prej 1975 deri me 1980 ka qenë pjesa e Shtëpisë shëndetit të Ulqinit. Atëherë kam qenë drejtori i Shtëpisë shëndetit të Ulqinit (1978-1982). Në këte kohë kanë punuar në ambulancën e Krajës këto mjekë: dr Gani Karamanaga, dr Rexhep Spuzha, si dhe stomatologët nga Ulqini dr Muhamed Myrteza dhe dr Ali Haxhibeti.
Në vitin 1979 bëhet riorganizimi i Shtëpisë shëndetit të Ulqinit dhe ky organizohet si organizatë shëndetësore e pavarur. Pas viteve 1980 sipas ligjit për shëndetësi stacioni shëndetësor i Ostrosit përsëri i takon Tivarit.
Prej vitit 1980 në Ostros kanë punuar si mjekë të praksës së përgjithshme dr Anto Martinoviq (i cili ka banuar në Ostros në një dhomë me të ndjerin Gjergj Nilaj, shefin e Postës të Ostrosit), më vonë kanë qenë në shërbim edhe dr Ahmet Maraj dhe dr Safer Zhygjeli.
Do ti përmendim dhe infermierët e atëhershëm: i ndjeri Sal Çobi (1943-2011), i cili një pjesë të jetës tij ka jetuar dhe punuar në Krajë së bashku me bashkëshorten e tij Havën, Musa Canoviqi, një infermier i qetë dhe i përkushtuar për të sëmuarin. Vozitësi i ambulancës Kasem Vuka i cili tërë jetën e tij ka punuar në ambulancën e Ostrosit tue transportua të sëmunarit në çdo kohë dite ose nate deri në Tivar, Podgoricë, Risan ose në Brezovik.
Objekti i vjetër ka qenë në anë të djathtë në hyrje të Ostrosit. Në atë objekt kanë qenë së bashku Ambulanca dhe Posta.
Objekti i cili është rikonstruktuar është ndërtuar në vitin 1978. Hapjen solemne e bëri Veljko Milatoviq, kryetari i atëhershëm i Malit të Zi. Pjesa festive u zhvillua në hotelin i cili ka qenë në anë tjetër të rrugës në hyrje të Ostrosit.
Prej atëherë deri në ditët e sotme nuk është investuar asgjë në Krajë ku mendohet edhe në objekte të tjera, si edhe në infrastrukturë.
Para shtatë viteve si anëtar i Rotary klubit të Ulqint ishim në Tivar në restoranin “Samba “. Mysafiri i jonë ishte Kryetari i Tivarit Zharko Paviqeviq i cili u përgjegjë në pyetjet nga anëtarët e klubit. Unë kryetarit Paviqeviq i sjella pyetjen lidhur me bashkësinë lokale të Ostrosit. I tregova: Ostrosi ka mbetur keqë, rruga është shumë e dëmtuar, nuk kanë ujë, asnjë objekt për të punësuar, popullata e dikurshme prej 4000 banorëve ka mbërritur në numrin e 1-1.500. Edhe këto janë shumica të moshuar. Pyetja ishte se çka mendon të bëjnë komuna e Tivarit si komunë e madhe dhe relativisht e pasur për kushtet të cilët egzistojnë në Mal të Zi. Kryetari Paviqeviq u përgjigjë: “Ne në Ostros do të favorizojmë sektorin privat, prodhimtarinë familjare, do të mundohemi që ta përmirsojmë infrastrukturën…”
Por, kaluan disa vite dhe Kraja ka mbetur ashtu si ka qenë. Por jo, Kraja dikur ka pasur më tepër se 4.000 banor, ka pasur dy fabrika të vogëla ku kanë qenë të punësuar më tepër gratë e Krajës.
Është gjë e mirë angazhimi i mërgimtarëve nga kjo anë që jetojnë dhe punojnë në Paris për automjetin sanitar për transportin e të sëmuarve.
Por, me siguri e di se Shtëpia e shëndetit e Tivarit për nevojat në Tivar ka blerë disa herë automjete të reja për shërbimet e veta. Si nuk u gjindën një herë që të mendoj se edhe stacionit shëndetësor në Krajë i nevojitet ambulanca e re.
Më kujtohet: para disa viteve me kërkesën e dr Ana Kalamperoviq, drejtoreshës të Shtëpisë shëndetit të Tivarit i lejova mjekëve dr Sabrije Taipi dhe dr Adem Mustafa që të punojnë në këte ambulancë.
E vlerësoj, që komuna e Tivarit shumë pak ose aspak nuk ka bërë për Krajën në përgjthësi. Gjithashtu edhe të gjithë ato të cilët janë larguar prej Krajës nuk kanë treguar angazhim të mjaftushëm për ndrrimin e gjëndjes të tanishme.
Prezenca e ministrit të shëndetësisë prof.dr Miodrag Radunoviq është një gjest i mirë dhe profesional, dhe tregon kujdesin për të sëmuarit dhe punotorët në mjekësi edhe në vendet e vogëla siç është Kraja
Agjencia Turke “TIKA “ e cila e ka investuar rikonstruimin e ambulancës në Krajë ka realizuar edhe në Shtëpinë e shëndetit të Ulqinit dy projekte: pajisjen e ambulancës otorinolaringologjike dhe ndrrimin e kulmit të Stacionit shëndetësor në Katërkollë.