Ditë shtatori e bukur. Përpara Shtëpisë së shëndetit takova Lam Gjekën, punëtorin shumëvjeçar në shërbimin shëndetësor epidemiologjik-bakteriologjik. Lami më tha:“ Doktor, jam pensionist pas 48 vjetëve punë..”
“Unë pak pa pak, kam pasur 43 vjet e pesë muaj kur dola në pension..”, ishte përgjigja ime.
Vazhduam kujtimet në kafenenë “Palma”.
Së bashku filluam punën në Spitalin e Tivarit. Ishin vitet e shtatëdhjeta. Lami punonte laborant biokimik në laboratorin e Spitalit, unë fillova stazhin e obliguar mjekësor. Edhe prej asaj kohe shoqërim, bashkëpunim, miqësi.
Nga biografia e Lam Gjekës:
Është i lindur me 1951 në Selitë, Katërkollë. Shkollën e përfundon në vendlindje , kurse të mesmen për laboratori në Prishtinë 1970.Menjëherë fillon punën në Tivar. Në Ulqin fillon punën me 1975, në laboratorin biokimik. Shkollën e Lartë të Mjekësisë, drejtimi sanitaro-epidemiologjik e mbaron në vitin 1978, në Beograd. Prej atij viti, me vendim të drejtorit të atëhershëm ( Dr. Gani Karamanaga), e kryen detyrën e teknikut e lartë në Repartin higjieno-epidemiologjik në Ulqin. Pas formimit repartit të Mikrobiologjisë, në vitin 2006, emërohet si kryeinfermier i të dy reparteve: të Mikrobiologjisë dhe Shërbimit higjieno-epidemiologjik.
Kujtimet e përbashkëta
1.Variola vera-Lija
Në vitin 1972 nga Haxhit duke u kthye nga Arabia Saudite u lajmërua epidemia e lis-variola vera (latinisht) në Kosovë, por edhe në Plavë. Për këtë arsye u realizua vaksinimi kundër variola vera në tërë Komunën e Ulqinit. Morëm pjesë në këtë aktivitet shëndetësor në Ulqin dhe në Anë të Malit – Katërkollë.
2.Tërmeti prej vitit 1979
Ishte punë e madhe që të sigurohet shërbimi shëndetësor në tërë komunën e Ulqinit. Lam Gjeka ishte natë e ditë i angazhuar së bashku me mjekët nga Ulqini: Dr. Shefqet Dollaku. Ali Muharremi, Gani Karamanaga, Myrto Salaj, Rexhep Spuzha, Shuajb Resulbegu.. Por, po i përmendim edhe mjekët nga Instituti për mbrojtjen shëndetësore nga Podgorica : Dr. Vujosheviq dhe Lumoviq. Gjithashtu për ndihmesë ishte edhe ekipi nga Bijello Pole: Dr. Stijoviq dhe Besim Staniq.
- Poliomieliti
Në vitin 1966 ishte epidemia nga poliomieliti në Shqipëri dhe Kosovë. U bë edhe vaksinimi i krejt popullatës në komunën e Ulqinit.
Lami vazhdon bisedën: “ Kam punuar shumë , para ditë dhe në çdo kohë tjetër në Shtëpinë e Shëndetit dhe në vaksinimin e fëmijëve. Të gjithë vendet, të vogla dhe më të mëdha i kam shëtitur shumë herë. Në vaksinim ka punuar shumë edhe Olga Vukçeviq, Rushka Bojanoviq, Fadil Kollari, Vehbi Zejnelaga. Pas dite kam qenë i angazhuar në kafenenë e vjehrrit Ali Hasa”. Pushon pak dhe vazhdon: “ Kur kam ardhur për të jetuar në Ulqin nuk kam pasur asgjë, me grua së bashku kemi ndërtuar me mund shtëpinë, rritur shtatë fëmijë..”
Vajza e madhe e Lamit është e punësuar në shërbimin epidemiogjik-mikrobiologjik, djali i madh ka përfunduarakademinë e muzikës, i dyti është mjek i ri në emergjencë. Vajzat tjera janë në mërgim…
Në fund
Me daljen e Lam Gjekës në pension, praktikisht nga Shtëpia e Shëndetit e Ulqinit largohet krejt një gjeneratë e punëtorëve të shëndetësisë. Kanë qenë kohëra tjera, të vështira, por edhe të bukura.
Po e theksoj: Shtëpia e Shëndetit e Ulqinit është rritur, organizuar si organizatë shëndetësore publike e veçantë, ndërtuar dhe hapur materniteti..
Lam Gjeka, njëri prej punëtorëve të vjetër ka dhënë kontribut të veçantë në çdo periudhë të shërbimit shëndetësor të Ulqinit.