Ulqini gjendet në pjesën më juglindore të bregdetit Adriatik. Klima e Ulqinit është detare-subtropike. E karakterizojnë faktorët e shumtë natyrorë shëndetësorë.
Në këte tekst do bëhet fjalë për peloidin (balta minerale shëruese). Gjendet në lokalitetin e Zogajve, Shtojit, është shumë e yndyrshme dhe me ngjyrë të zezë, me një strukturë koloide të lehtë. Ph 8,4-8,5 me shije të njelmët, me aromë të oksigjensulfurit. Dendësia është 1,40 g/ml. Sipërfaqja ku gjendet peloidi është prej 9 km2 dhe e mbuluar me rërë e me dhe. Rezervat e tija vlerësohen në rreth 350.000m3.
Peloidi i Ulqinit është hulumtuar në dy raste, herën e fundit me 1985 nga ekipi i përbashkët nga Sarajeva, Zagrebi dhe Beogradi, kur u realizuan projektet për shfrytëzimin e faktorëve natyrorë të Ulqinit si dhe për ndërtimin e Qendrës për turizëm shëndetësor në Ulqin dhe në Plazhin e madh. Ky i fundit duhet të jetë vendi ku do të aplikohet peloidoterapia.
Kushtet për formimin dhe regjenerimin e peloidit janë ideale: afërsia e detit, vegjetacioni i përafërt i bujshëm, prezenca e plangtomeve, guacave, kërmijve. Balta shëruese paraqet një sistem heterogjen i cili përmbahet nga: Na, K, SiO2, AlO3, FeO3, CaO, MgO, CO2, pastaj bitumeni, materialet nga rëra, thartinë humusi, 3,30% materieve organike. Gjithashtu gjinden edhe elementet radioaktive (uraniumradiumi).
Shfrytëzimi i peloidëve në qëllime terapeutike quhet peloidoterapi dhe paraqet një metodë me rëndësi të mjekësisë fizikale. Ka një aplikim të gjerë për mbajtjen e shëndetit dhe të kondicionit fizik.
Peloidi shfaqë ndikim ngrohtësie, andaj ndikon në proceset e inflamacioneve lokale, në proceset regjenerues, trofikë, ndërsa në simptomën e dhimbjes ndikon në mënyrë analgjike dhe spazmolitike.
Indikacionet: artitiset, artroza, periarteriti, spondilozat, diskopatia. Te kontrakturat posttraumatike ndihmon si analgjetik dhe faktor formimit të kallusit të ri.
Duke ndikuar në extro dhe duke ngacmuar në introreceptore, shkaktojnë një varg reaksionesh neurohumorale dhe neuroendokrine, veçanërisht është i rëndësishëm veprimi në koren e gjëndrës mbiveshkëzore (glandula suprarenale), e cila me një prodhim të sforcuar të glikokortikoidëve, ndikon përshtatshëm në proceset inflamatore.
Gjithashtu përdorimi mundet të bëhet edhe te sëmundjet gjinekologjike, te sëmundjet e dobësisë së qarkullimit të gjakut te ekstremitetet e poshtme, te sindroma varikozë (joulceroz). Përdorimi edhe në dermatologji, për efekte kozmetike etj.
Në vend të përfundimit:
Faktorët natyrorë dhe mjekues të Ulqinit duhet shfrytëzuar maksimalisht dhe vënë në përdorim në qëllime mjekësore,gjatë rehabilitimit të sëmurëve, si dhe turizmin preventiv shëndetësor.
Të gjitha kushtet-sasia dhe kualiteti i baltës minerale shëruese,krahas klimës së butë dhe diellit, krijojnë cilësitë e përgjithshme mjekuese të Ulqinit.
Ne propozojmë ndërtimin e një qendre për shfrytëzimin e kushteve natyrore në Plazhin e madh për mjekimin me rërë (psamoterapia), dhe me peloid (peloidoterapia).