Ne ceremoninë solemne në prani të disa dhjetëra qytetarëve dhe mysafirëve, kryetari i Komunës së Prishtinës dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka dorëzuar në përdorim sheshin e rinovuar dhe zgjeruar në qendër të Prishtinës.
Sheshi në të cilin në fund të shtatorit do të vendoset përmendorja e kryetarit të parë të Kosovës Ibrahim Rugova, është quajtur pikërisht sipas tij “Sheshi i Pavarësisë, dr. Ibrahim Rugova”.
“Ky shesh mban emrin e kryetarit Rugova, shtetarit i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë”, tha Mustafa. Ai theksoi që sheshi ka ndryshuar pamjen e Prishtinës, e cila e gjelbëruar dhe e rregulluar është bërë ambient në të cilin qëndrojnë qytetarët e Prishtinës dhe qytetarët tjerë të Kosovës.
Kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa tha që sheshi ka kushtuar 4.174 milion euro, që është për 203 mijë euro më pak se çmimi i kontraktuar. Ndërtimi i infrastrukturës nëntokësore, gjelbërimi i sipërfaqeve, shatërvanët dhe ndriçimi kanë kushtuar 2 milion euro, derisa pllakat dhe shtrimi i tyre në shesh kanë kushtuar 2.147 milion euro.
“Sheshi është me sipërfaqe prej 15.832 metër katrorë. Pllakat janë vendosur në sipërfaqen prej 11.797 metër katrorë”, tha Mustafa.
Ai theksoi që në shesh janë ndërtuar katër shatërvanë dhe mbjellur 79 rrënjë të drunjve dekorativ. Sheshi është i ndriçuar me 65 drita dekoruese, janë vendosur 62 stola për pushim dhe dy kroje publike. Ndërtimi i sheshit ka filluar në mars të vitit të kaluar dhe ka përfunduar me 5 gusht të këtij viti, ndërsa është punuar sipas projektit të kompanisë Smart. Punimet i ka kryer konzorcioumi i firmave “Al Zone”, “Zysken Trans” dhe “Gërguri”.