Shfaqja e dokumentarit “Në teh të erës” është organizuar, në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit, bashkarisht nga Ambasada e Malit të Zi në Prishtinë dhe Drejtorati për kulturë në Komunën e Prishtinës, drejtuar nga znj. Sibel Halimi dhe “Art Club ” Ulqini.
Frymëzimi që Basri Çapriqit i ka ardhur nga muza e detit, poshtë Kalasë së Ulqinit, është ndjerë në rrëfimet e dokumentarit “Në teh të erës” të autorit Haxhi Shabani, të shfaqur premierë në kino “Armata” në Prishtinë.
Rrugëtimi letrar, poetik dhe studimor i Basri Çapriqit ka nisur në Prishtinë, ku ai është mishëruar thellë me simbolikën dhe misteret e letërsisë, duke u shndërruar në poetin simbol të letërsisë moderne shqipe.
Me tregu historinë e Basri Çapriqit duhet kaluar nëpër një labirint intelekti dhe emocioni, ku çdo kthesë zbulon një dimension të ri të të kuptuarit dhe çdo poezi është një çelës për të zhbllokuar misteret e fshehura brenda dhe përtej fjalëve dhe simboleve. Pikërisht brenda këtij labirinti të ndërlikuar gjindet thelbi i trashëgimisë letrare e poetit të detit.
Poezitë, studimet, dhe kontributi i Basriut në jetën publike kosovare janë rikthyer edhe një herë përmes kujtimeve të miqve dhe familjarëve të tij, përzgjedhur me mjeshtri nga autori i filmit dokumentar.
Nata e promovimit të dokumentarit është pasuruar me praninë e familjarëve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe adhuruesve të poezisë së Basri Çapriqit.