Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, SOS Telefoni për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës – Ulqin organizoi mbrëmjen e djeshme promovimin e dokumentarit “Burimet e së kaluarës – Fuqia e Multikulturalizmit”, në ambientet e restorantit “Lamiga” në Anë të Malit. Në këtë ngjarje morën pjesë rreth 150 të ftuar, përfaqësues të institucioneve lokale, republikane, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe komunitetit lokal.
Ky dokumentar është pjesë e një cikli dokumentarësh të realizuar nga SOS Telefoni, të cilët ndër vite janë përqendruar në tematika që lidhen me trashëgiminë kulturore, si veshjet popullore, artizanatet, mullinjt e bluarjes së misrit, dhe elemente të tjera të kulturës tradicionale, duke theksuar multikulturalizmin si një vlerë thelbësore të jetës në Ulqin.
Në panel morën pjesë përfaqësues nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Komuna e Ulqinit, si dhe personalitete nga fusha akademike. Arben Xhurreta nga Ministria përgëzoi ekipin realizues për profesionalizmin, ndërsa Beqir Sella, nënkryetar i Komunës, propozoi vazhdimin e këtij rrugëtimi me një dokumentar të dytë për burimet e tjera në Anë të Malit. Prof. Dr. Nexhat Avdiu, protagonist në dokumentar, foli mbi rëndësinë historike dhe edukative të projektit.
Dokumentari është realizuar nga autorja Hatixhe Nelaj, njëherazi edhe drejtoreshë e SOS Telefonit. Në realizim morën pjesë gazetarët Dafina Teliqi (njëkohësisht edhe moderatore e mbrëmjes) dhe Bekim Çoba, ndërsa kamera u mbajt nga Shaban Bani Bajraktari.
Mbrëmja u hap me një valle tradicionale nga grupi folklorik “Trojet Tona”, dhe në fund u ndanë mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa zonjat u nderuan me buqeta lulesh. Ngjarja përfundoi me një koktej festiv, duke përforcuar edhe një herë rëndësinë e bashkëjetesës kulturore dhe ruajtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët.
Ky projekt është mbështetur nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi.