Në vitin 2013 shënohet 20 vjetori i shtetësisë evropiane në Bashkimin Evropian. Shtetësia e BE-së nuk e zëvendëson shtetësinë nacionale, por ka karakter suplementar. Çka kanë bërë partitë dhe elitat tona politike në 20 vitet e fundit, derisa BE-ja ka punuar në krijimin e shtetësisë?!
I kemi rrënuar dhe thyer të gjithë ato vlera që karakterizojnë BE-në, bashkëjetesën , solidaritetin, diversitetin si karakteristikë pozitive, tolerancën dhe shumë principe tjera që përbëjnë bazën e Bashkimit Evropian. Shumica e qytetarëve dhe burokratëve të BE-së ende na konsiderojnë si të rendit të dytë, të paarrirë për anëtarësim. Na shikojnë si qytetar të asaj hapësirë ku nuk shikohet më larg së hunda dhe nuk mendohet më shumë se ajo çfarë dëgjohet, gjë që në masë të madhe na bënë civicus të thjesht, apo të nënshtruar, të cilët nuk janë të lirë dhe të gatshëm të marrin përsipër obligimet dhe përgjegjësitë. Të paktët, që në kohën e marrëzisë këtu flisnin për rrugën evropiane, vlerat, janë shënuar si armiq të shtetit nga ato që sot i (për)ulen diskursit të integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
Sigurisht, më mirë është që flasin për integrime sepse dezintegrimet tashmë janë bërë dhe gjeneratës time i mbetet që të kyçen në mënyrë aktive në procese dhe ti kontribuojnë përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Si qytetar i një shteti evropian dëshiroj të kem të gjitha të drejtat dhe mundësit të cilat i kanë qytetarët në shtetet tjera të zhvilluara. Dëshiroj të udhëtoj, punoj, studioj dhe jetoj në vendin ku respektohet liria e të shprehurit dhe ku nuk frikësohemi që për gëzimin e kësaj të drejte mund të sanksionohemi dhe ti vuajmë pasojat. Dëshiroj të jem qytetar i BE-së sepse dëshiroj të mendoj lirshëm, zgjedh lirshëm në mes dy të mirave dhe jo dy të këqijave.
Me anëtarësimi në BE, Mali i Zi do të forcoj paqen dhe stabilitetin dhe të përmirësoj cilësinë e jetës së qytetarëve. Stabiliteti ekonomik dhe politik në kuadër të tregut të përbashkët evropian, ligjet më të mira dhe administrata më e mirë shtetërore do të nxis rritjen ekonomike, do të përmirësoj klimën e biznesit , e me këtë do të ndikoj në uljen e normës së interesit, rritjen e investimeve të huaja, hapjen e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të shtetit. Bujku dhe peshkatari ynë do të jetë më konkurrues, ndërsa konsumatori do të jetë më i sigurt. Mjedisi jetësor do të jetë më i sigurt ndërsa burimet tona natyrore nuk do të shërbejnë për arnimin e vendimeve të gabuara politike dhe pasurimin individual. Institucionet shtetërore do të lirohen nga kthetrat e mobingut shumëvjeçar politik kështu që do të kemi mundësi që më shpejt dhe më lehtë të realizojmë të drejtat e veta. Rinisë do ti hapet mundësia për studim në qendrat tjera evropiane, me kushte të njëjta me studentët evropian. Pra, me anëtarësimin në BE bëhemi qytetar të një shteti më të rregulluar, bëhemi pjesë e tregut më të madh, bëhemi pjesë e bashkësisë me ligje cilësore dhe me standarde më të zhvilluara të mbrojtjes sociale dhe me inkurajim të madh për zhvillim të mëtejshëm politik dhe ekonomik së bashku me sundimin e ligjit dhe standardet më të larta të drejtave të njeriut dhe pakicave.
Si qytetar i një qyteti të vogël, Ulqinit, me histori dhe traditë të madhe, që ka kohë që është harruar nga qeveria dhe institucionet, por nga i cili evropianët, sidomos gjermanët kanë kujtime të bukura, dëshiroj të besoj dhe kontribuoj në integrime evropiane dhe me këtë edhe zhvillimit të qytetit tim. Nëse Mali i Zi me të vërtet dëshiron të anëtarësohet në BE atëherë duhet të bëhen ndryshime afatgjate dhe të dhimbshme, me qellim të arritjes së standardeve dhe vlerave evropiane.
Sigurisht, e gjitha kjo tingëllon tepër mirë për të qen e vërtet, sidomos në momentin kur BE-ja po kalon krizën e cila do të ndryshoj thelbin e BE-së. Mirëpo, udhëtimi jonë nuk është aq i nevojshëm për Evropën sa është për ne – qytetarët, sepse për ne kjo do të thotë shpresë për të ardhme më të mirë. Kjo mund të na ndihmoj të arrijmë renesancë shoqërore dhe ta “lindim” shpirtin e Evropës brenda nesh. Në këtë mënyrë, anëtarësimi formal në BE nuk do të jetë aq i rëndësishëm sa njohja e jonë që e kemi ngritur vetëdijen shoqërore, përgjegjësinë dhe ndjenjën për tjetrin në nivel më të lartë, në nivelin njerëzor.
Shkruan: Allmir Çausheviq, project manager në Monitoring Group Ulqin (Mogul)