Njohuria mediatike bazohet në aftësinë për të analizuar në mënyrë kritike përmbajtjet mediatike, të cilat jo vetëm që do t’i përvetesojmë në mënyrë pasive dhe do t’i ndajmë në mënyrë te pamatur, por do të “zhytemi” nën siperfaqen e tyre, te krijuar pë të tërhequr vëmendjen tonë dhe për të drejtuar dhe formuar qendrimet, botëkuptimet dhe sjelljet tona në drejtimin e deshiruar.
Nëse të rinjtë kalojnë një kohë të gjatë në internet, në mediat sociale atëherë duhet që ata të mësojnë se si duhet t’i përdorin mediat sociale dhe jo si të mbrohen nga mediat, sepse s’ke nevojë të mbrohesh, por mjafton të mësosh si t’i përdorësh ato.
Në raportin “Edukimi mediatik” të publikuar nga UNICEF thuhet se ndikimi që kanë mediat tek fëmijët varet, në radhë të parë, nga përmbajtja mediatike ndaj së cilës ata janë të ekspozuar. “Sipas Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, fëmijët duhet të mbrohen nga përmbajtja e dëmshme mediatike. Në të njëjtën kohë, Konventa thotë se fëmijët kanë të drejtë të marrin pjesë në media dhe që zëri i tyre të dëgjohet. Prandaj, edukimi mediatik dhe rregullimi i mediave nuk përjashtojnë njëra-tjetrën”, thuhet në publikim.
Kjo do të thot që edukimi mediatik apo medial është i lidhur me mendimin kritik, pasi që nxënësit duke trajtuar informata të ndryshme e zhvillojnë të menduarit kritik duke krahasuar faktet nga opinionet, lajmet e vërteta nga ato të rrejshme, etj. dhe në mënyrë të pavarur krijojnë bindjet e tyre të bazuara në argumente.
Duket që shumica e popullatës nuk po e kupton konceptin se çka është, si dhe pse duhet të ketë edukim mediatik të detyrueshëm në arsimin fillor. Shpesh ngatërrohet me edukimin digjital duke u interpretuar si nevojë për edukimin e gazetarëve dhe prodhuesve të tjerë të përmbajtjeve mediatike. Në fakt, edukimi mediatik është më shumë se edukim digjital dhe është përtej edukimit të gazetarëve. Është proces i formimit të një vetëdijeje kritike për përmbajtjet e mediave. Është shkathtësi për t’u mbrojtur nga çrregullimi informativ i të gjithë atyre që kanë media, media sociale dhe platforma të tjera në internet, e që prodhojnë keqinformim, dezinfomim, propagandë e informacione të rreme.
Pra, ka një keqkuptim të thellë sa i përket edukimit mediatik. Këtë formë edukimi kuptohet më shumë si proces të edukimit të gazetarëve që të raportojnë në mënyrë etike dhe ligjore dhe jo si edukim të publikut ose grupeve të caktuara për t’u krijuar shkathtësi të nevojshme se si t’i kuptohen mediat dhe si të krijohet gjykim kritik për to.
Keqkuptimi tjetër është se edukimin mediatik e lidhin me edukimin teknologjik. Edukimi mediatik nuk është i njëjtë me aftësitë e njerëzve për përdorim të teknologjisë. Edukimi mediatik është aftësi e njerëzve për të pasur qasje kritike për përmbajtjet që prodhohen nga të gjitha llojet e mediave.
Gjenerata e fëmijëve të sotshëm, prej kohës kur janë të gatshëm që ta mbajnë në duart e tyre telefonin celular, i zhvillojnë aftësitë e përdorimit të teknologjisë. Dhe pikërisht pse s’kanë edukim mediatik, shumë prej tyre bien pre e lojërave të rrezikshme, dezinformatave dhe përdorimit të mediave vetëm për argëtim.
Edukimi mediatik synon që fëmijët t’i edukojë për t’i përdorur mediat në mënyrë sa më efikase dhe të dobishme për t’i thelluar njohuritë e tyre. Prandaj, mosedukimi mediatik sot është analfabetizëm i kohës.
Ky tekst është krijuar në kuadër të projektit “Lexo saktë” i cili realizohet nga OJQ “UL Info”, në partneritet me OJQ “Punta Institut”, në kuadër të projektit rajonal “Media jonë – Iniciativa për përmirësimin e shkrim-leximit mediatik , dialogu dhe aktivizmi”, të cilin e realizon Rrjeti i Evropës Juglindore për Profesionalizimin e Mediave, me mbështetjen e BE-së dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e UL Info dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.