Në kuadër të projektit “Së bashku për barazi: Kundër diskriminimit dhe për harmoninë gjinore në Ulqin”, realizuar nga SOS Telefoni për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës në Ulqin, me mbështetjen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, janë organizuar punëtori edukative me nxënësit e shkollave fillore “Bedri Elezaga” dhe “Boshko Strugar” në Ulqin.
Punëtoritë kanë pasur për qëllim ngritjen e vetëdijes së fëmijëve mbi përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe rëndësinë e respektimit të barazisë gjinore që në moshë të hershme. Gjatë aktivitetit, nxënësit kanë plotësuar një anketë reflektuese, e cila do të ndihmojë në kuptimin më të mirë të perceptimeve të tyre dhe në hartimin e veprimeve të ardhshme edukative.
Një element i veçantë i këtij aktiviteti ka qenë realizimi i një videoje me mesazhe edukative nga vetë nxënësit, e cila do të publikohet dhe shfaqet në tryezën e rrumbullakët përmbyllëse të projektit.
Znj. Hatixhe Nelaj, drejtoreshë e SOS Telefonit në Ulqin, theksoi rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve në këtë lloj edukimi: “Puna me fëmijët është kyç në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të ndjeshme ndaj çështjeve të barazisë. Përmes këtyre punëtorive, ne po mbjellim vlera që do të rriten bashkë me ta – respekti, mirëkuptimi dhe guximi për të kundërshtuar padrejtësinë.”
Ky aktivitet ka marrë përkrahjen e plotë të drejtorëve dhe stafit të të dyja shkollave. Z. Mustaf Bardhi, drejtor i SHF “Bedri Elezaga”, dhe znj. Mladenka Maja Periq, drejtoreshë e SHF “Boshko Strugar”, ofruan mbështetje të pakusht dhe ndihmuan në organizimin dhe motivimin e nxënësve për të marrë pjesë aktive.