Me vendimin e Qeverisë së Malit të Zi portet tregtare në Tivar dhe Kotorr, Porti i turizmit nautik në Tivat, kantieri i anijeve në Bijella dhe ai i peshkimit në Njivice janë porte me rëndësi nacionale. Me rëndësi lokale janë shpallur ai i Budvës, Risanit, Tivatit-Porto Montenegro dhe Kalimanj, si dhe Shkveri dhe Zelenika në Herceg Novi.
Portet me rëndësi nacionale i menaxhon Administrata e portit, ndërsa portet me karakter lokal janë kompetencë e Ndërmarrjes publike për menaxhimin e të mirave detare.
Pra, qeveria e Malit të Zi pohon që në bregdetin e Ulqinit me gjatësi prej 33 kilometër nuk ekziston asnjë port ose të paktën port i vogël me së paku karakter lokal. Për këtë arsye në Ulqin akoma nuk ka pikë doganore në det ku nautikët nga jugu, nëse dëshirojnë të vizitojnë atë qytet, së pari duhet të lajmërohen organeve të portit dhe atyre doganore në Tivar, e pastaj mund të vizitojnë Ulqinin.