Kur bëhet fjalë konkretisht për apatinë politike para së gjithash aludohet në mosinteresimin e qytetarëve ndaj rrjedhave politike dhe aktiviteteve konkrete politike siç janë: pjesëmarrja në zgjedhje, ndjekja e gjendjes politike, pjesëmarrja në mbledhjet e organizatave politike etj. Apatia është dukuri që ndjek sistemet politike dhe funksionimin e tyre prej fazave më të hershme e deri më sot. Vetë nocioni “apati” (indiferencë) nënkupton gjendjen psikike që e karakterizon mungesën e interesimit të njeriut ndaj rrjedhave shoqërore.
Apatia politike edhe pse është e pranishme në të gjitha sistemet politike nuk do të thotë se ajo paraqitet me po të njëjtin intezitet dhe së është pasojë e ndikimit të faktorëve të njëjtë. Disa sisteme politike e stimulojnë apatinë, ndërsa të tjerët e luftojnë me qëllim të sjelljes së saj në suazat e të tolerueshmes. Shumë vështirë është të bëhet një përkufizim i saktë lidhur me atë se ç’është apatia politike, e aq më vështirë është të zbulohen të gjitha motivet që e stimulojnë atë. Kjo është kështu nga shkaku se apatia politike ka lidhshmëri të ngushtë me gjendjen shpirtërore të individit.
Apatia politike si dukuri është ngusht e lidhur me demokratizimin e shoqërisë dhe format dhe mënyrat e veprimit të partive politike. Fillimisht partitë politike ishin sinonim i aktiviteteve politike. Ato e kishin qëllim parësor mobilizimin dhe aktivizimin e masave të gjëra që të marrin pjesë në aktivitetet politike. Megjithatë me kalimin e kohës shumëçka ndryshoi. Partitë politike mund ta stimulojnë ose destimulojnë apatinë. Nga programet partiake, synimet e tyre, mjetet dhe metodat që i vënë në përdorim në garat zgjedhore në të shumtën e rasteve varet edhe interesimi i qytetarëve për ndonjë parti konkrete. Nga kjo varet për cilën parti do të përcaktohet trupi votues në ditën e votimit, ose a do ta ndjekë dhe sa do ta përkrahë ndonjë parti politike në aktivitetin e saj.
Sa u takon zgjedhjeve dhe partive politike, vlenë të përmenden dy momente të cilat në mënyrë të drejpërdrejtë ndikojnë në pasivizimin e qytetarëve për ndodhitë, proceset dhe rrjedhat politike si edhe mosinteresimin e tyre për mosshfrytëzimin e të drejtës së votës. Momenti i parë është “dëshpërimi” nga partitë politike. Deri te kjo vjen për më shumë shkaqe, por para së gjithash nga format e luftës së partive për të ardhur në pushtet. Shpeshherë partitë nuk e vënë në shënjestër interesin më të gjërë shoqëror dhe pas ardhjes në pushtet nuk i qasen më një seriozitet të duhur zgjidhjes së problemeve në shoqëri, me ç’rast partitë nuk e luajnë rolin e artikulluesit dhe realizuesit të interesave politike të grupeve të ndryshme shoqërore. Me fjalë të tjera, partitë politike shumë premtojnë, por pak realizojnë. Politika shndërrohet në monopol të forumeve partiake, ajo shndërrohet në “poligon” të strukturave partake dhe merr trajtën e “interesit privat të tyre”. Ata që udhëheqin me politikën, nën “velin” e luftës për realizimin e interesave të përgjithshme e avancojnë interesin e tyre privat.
Momenti i dytë është “lodhja”e trupit zgjedhor nga zgjedhjet e njëpasnjëshme. Në qoftë se zgjedhjet organizohen shpesh, ekziston mundësia që një numër relativisht i madh i qytetarëve të bëhet “apatikë”, të mos ju interesoj asgjë, madje as data e mbajtjes së zgjedhjeve e as kandidatët e mundshëm për bartës të funsioneve, e aq më pak platformat zgjedhore. Në shumë shtete të botës institucione të specializuara, por edhe vetë partitë politike bëjnë hulumtime të ndryshme për t’i zbuluar shkaqet dhe motivet që ndikojnë në krijimin e një mosinteresimit te një përqindje e qytetarëve ndaj lëvizjeve politike, e sidomos ndaj zgjedhjeve. Megjithatë, siç duket ende nuk është gjetur ndonjë “formulë efikase” që do të kishte ndihmuar që të gjithë qytetarët e një shoqërie konkrete të “aktivizohen politikisht”, së paku në qoftë se jo më shumë atëherë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës. Por, nga ana tjetër demokracia duhet të kuptohet si një dukuri komplekse. Edhe mosinteresimi për ndodhitë politike dhe mosshfrytëzimi i të drejtës së votës janë pjesë e demokracisë. Aq sa është “demokraci” dhe demokratike të votohet për një obcion, për një parti të caktuar politike ose koalicion partiak që qytetarët mendojnë se do të jenë në shërbim të interesave të tyre, po aq është demokratike në qoftë se një përqindje e qytetarëve nuk del në votim e bindur se zgjedhjet, respektivisht partitë që do të fitojnë, nuk do të ndërmarrin asgjë për përmisimin e statusit të tyre.
Në një pjesë të vendeve në tranzicion, e sidomos në Mal të Zi që të jepen vlerësime meritore për shkaqet, arsyet dhe motivet e apatisë politike është tepër vështirë. Vështirësitë janë pasojë e ambientit të përgjithshëm pluralo-partiak të vendit. Nuk mund ta marrim të drejtën dhe të themi se qytetarët e Malit të Zi mund të mburren dhe të jenë të kënaqur me demokratizimin e partive politike.
Partitë politike dhe Mali i Zi si shtet, brenda këtyre viteve të pluralizmit shumë pak kanë mbajtur llogari për ndjenjat e trupit zgjedhor dhe të drejtat dhe obligimet e tij si vlera demokratike. Shteti ka treguar dobësi të dukshme në aspektin e sigurimit të parakushteve që qytetari sipas bindjes së tij ta shpreh vullnetin politik, ndërsa nga ana tjetër, partitë politike me çdo kusht kanë tentuar ta marrin votën e qytetarëve duke përdorur edhe mjete të palejueshme, dhunë dhe falsifikime pa mos u brengosur aspak se në atë mënyrë shkelin thellë në dinjitetin e atyre në emër të të cilëve garojnë në skenën politike. Kështu në raste të caktuara partive politike u ka shkuar në favor mosdalja e qytetarëve në votim, për shkak se ashtu më lehtë kanë mundur ta keqpërdorin votën e tyre.
Partitë politike në Mal të Zi, në vend që ta “mësojnë trupin zgjedhor” që të dalë në votim dhe ta shfrytëzoj të drejtën e votës, e kanë zgjedhur rrugën më të shkurtër dhe më të lehtë. Ato ia fusin në palcë frikën votuesit që ai seriozisht të mendojë a duhet të votojë në ditën e votimit ose jo. Si duket ndryshe e kanë kuptuar reagimin e qytetarëve me rastin e anketave të cilat gjithsesi janë të pakta dhe jo aq cilësore me ç’rasti në pyetjet e parashtruara përgjigjen shkurt në stilin “nuk i besojmë asnjë partie politike”, “të gjithë luftojnë për interes të vetin” ose “vetëm le të përfundojnë zgjedhjet pa incidente dhe pa vrasje”. Me fjalë të tjera, në këtë perudhë partitë politike në Mal të Zi, e veçmas partitë politike shqiptare fortë pak kanë investuar në ngritjen e nivelit të kulturës politike të qytetarit, si investim i vetëm që jep rezultate afatgjate dhe e lufton me sukses dukurinë e apatisë politike.