Qani Osmani: IDENTITETI FETAR I SHQIPTARËVE

Qani OsmaniNdjenja fetare është instikt i natyrshëm i njeriut dhe ai u shfaq që nga kohët më të lashta. Ernest Renana në librin e tij “Historia e feve”, thot: “Mund të ndodhë të pakësohet çdo gjë që ne dëshirojmë, të dobësohet mendja, të stagnojë shkenca dhe të menduarit, të zvoglohet entuziazmi i njeriut për përdorimin e lirive të njeriut. Mirëpo është e pamundur të përfytyrojmë menjanimin e fesë në shoqëri apo pezullimin e dukurisë së bindjes fetare. Këtë më së miri e vërtetoi dështimi i materializmit që nuk pati sukses të bindë shoqërinë me teoritë dhe konceptet e tij, sepse njeriu me instiktin e tij të natyrshëm orvatet të ngrihet mbi botën e materies, të plotësoj nevojat e tij shpirtërore dhe intuitive. Besimi i sjell njeriut qetësinë, i zvogëlon streset, tenton ta pajtoj me realitetin, sado i hidhur qoftë ai, i ushqen shpresën për diçka më të mirë,e largon nga hakmarja, i forcon mbi të gjitha ndjenjën e drejtësis, duke goditur egoizmin, burimin e të gjitha të këqijave sociale”.
Hulumtimet dhe studimet e fesë tek ne shqiptarët janë ende në shkallën fillestare. Aty këtu kemi ndonjë vlerësim më tepër në nivel intuitiv, sipas njohurive të pakta dhe sipërfaqësore, shpeshherë edhe të ngarkuara me përcaktime e vlerësime ideologjike, politike e fetare, pa ndonjë shqyrtim ndërdisiplionar dhe shkencor. Kjo edhe sot e vështirëson vlerësimin fetar të popullit shqiptar, në këtë gjendje të ndërlikuar politike, ekonomike, sociale, kulturore e fetare. Vlen të theksohet se ndër shqiptarët deri më tash bartëset e vetme të jetës fetare janë bashkësit fetare, qofshin ato islam apo të krishtera, institucionet e tjera kombëtare deri tani nuk kanë treguar ndonjë interesim të veçantë ndaj fesë dhe avancimit të saj. Për këtë arsye, vetiu shtrohet pyetja: Çfarë roli e rëndësie ka pasur dhe duhet të ketë feja te populli shqiptar? Kjo do shikuar nga shumë këndvështrime, në radhë të parë nga ai historik, sociologjik, psikologjik, kulturor dhe moral.
Nëse i hedhim një vështrim rolit të fesë ndër shqiptarët, do të shohim se feja ka luajtur rol pozitiv gjatë historis së kombit. Për këtë, meritë të veçantë kanë pasur prijësit e fesë, të cilët ishin në nivel të misionit të tyre dhe nuk lejuan keqinterpretimin e parimeve fetare. Bashkekzistenca par exellence trikonfesionale ndër shqiptarët, e verifikuar ndër shekuj, me një tolerancë dhe dialog shembullor, është shtyllë e qytetërimit shqiptar. Multikonfesionaliteti është një proces i përfunduar historik, prandaj shqiptarët evropianë nuk kanë drojë se mund të ballafaqohen me “thyerje” të reja dhe “konvertime” fetare. Fundja, për shqiptarët trikonfesionaliteti paraqet një begati të trashëgimisë shpirtërore dhe mendore. Nuk mund të mohoet roli i kulturës kristiane në krijimin dhe ruajtjen e individualitetit shqiptar të kulturës dhe gjuhës, si iliro-shqiptarë prej kohës apostolike gjatë 2000 vjetëve. Kisha katolike ishte dhe mbetet kultivuese, trashegimtare e gjuhës, traditës, kulturës, qenies shqiptare, sidomos në kohë të vështira, siç ishte sundimi i Perandorisë Romake pastaj Perandorisë Bizantine , dyndja e popujve barbarë dhe popujve sllavë. Ashtu si nuk mund të mohoet roli i kulturës Islame në ruajtjen e qenies kolektive shqiptare nga sllavizmi dhe greqizmi për arsye se shqiptarët musliman kishin tradita të ndryshme nga ta dhe nuk lejonin përzierjen me ta qoftë përmes proklamimit se fetar i mirë është ai që është edhe atdhetar i mirë dhe që mbron atdheun kur është në rrezik.
Pra, përkatësia fetare tradicionale ndër shqiptarët duhet konsideruar si vlerë qytetëruese, kulturore dhe kombëtare që avancon fisnikërimin, bujarizmin, lartësimin shpirtëror, moral, kulturor për njeriun si person, si familje dhe si shoqëri. Muslimanët, katolikët dhe ortodoksët shqiptarë duhet të jenë krenarë për përkatësin e tyre fetare. Të qenit shqiptarë është primare, kurse qështjet tjera si: besimi, krahina janë çështje personale. Fundja, çka i nevoitet një Shqiptari të dijë se çfar ka bërë Moisiu para mijëra vitesh në Egjipt? Çfar na duhet neve të dijmë se Deti i kuq qenka hapur për të kaluar ai? Këto janë tregime që u takojnë miteve të historisë nacionale popujve p.sh. të hebrejve dhe arabëve në këtë rast. Sikur ata edhe edhe ne si popull kemi mitet tona historike jo me: Moisiun, Abrahamin, por me elitën tonë si Agronin, Bardhyllin apo Teutën.
Nuk ka dyshim se sundimi gjysmëshekullor komunist te shqiptarët e dëmtoi në një masë të madhe çështjen fetare, sidomos në shqipëri. Për këtë shkak, me fillimin e procesit të demokratizimit të saj, aty nxituan misionarë nga të gjitha anët e botës, sepse mendonin se Shqipëria ishte terren i përshtatshëm për përhapjen e propagandës fetare, sepse aty shqiptarët e në mënyrë të veçantë rinia, kishin humbur identitetin fetar gjatë periudhës së diktaturës së regjimit komunist, i cili bënte shpërlarjen e trurit nga besimet fetare, duke edukuar popullin në frymën ateiste. Feja është trajtuar si formë e vetëdijes konservatore e reaksionale, si “opium për popullin” dhe si e tillë, është luftuar në mënyra të ndryshme, duke varfëruar shpirtësinë e njeriut.
Shqiptarët gjatë historisë së tyre të gjatë nuk kanë treguar ndonjë lloj fanatizmi të tepruar për përkatësinë e tyre fetare. Ata tradicionalisht ishin tolerantë në aspektin fetar. Këtë e kanë vërtetuar edhe shumë autor të huaj, të cilët janë marë me çështjen shqiptare. Prandaj, të luash sot me kartën fetare, ideologjike, partiake e krahinore është e rrezikshme për popullin shqiptar dhe për vlerat që na i kanë zili të gjithë. Hapësirës tonë i duhet përkushtimi i shqiptarëve pa marrë parasysh besimin: islam, katolik, ortodoks. Kombi ynë ka nevojë për dashurinë, punën, angazhimin dhe përkushtimin e secilit Shqiptarë pa dallim: besimi, përkatësie politike apo krahinore.
Të gjithë ato persona që përpiqen të ngritin vlerat e një besimi kundrejt tjetrit, duhet ta dijnë se çdo shqiptarë kurrë gjatë historisë nuk kan bërë diçka për vendin në emër të fesë, por në emër të kombit. Që nga Pashko Vasa, Jani Vreto, Ismail Qemali, Konstandin Kristoforidhi, Hoxhë Tasini, Naim dhe Sami Frashëri, Jeronim De Rada, Asdreni, Pandeli Sotiri, Naum Veqilharxhi e shumë e shumë të tjerë, të gjithë këta ishin projektuesit, themeluesit dheruajtësit e identitetit tonë kombëtar, të gjithë këta kishin besime të ndryshme fetare por kishin qëllim të njejtë mbrojtjen dhe çlirimin e tokave shqiptare. Shqiptarët e besimit fetar Islam ishin ata që luftuan shekuj me rradhë kundër turqve me qëllim të çlirimit të tokave shqiptare, po kështu ishin edhe Shqiptarët Ortodoks kundër Grekëve apo Katolik kundër Venedikasve, pra përgjatë historisë Shqiptarët kanë luftuar kundër popujve me besim të njejtë, por me kombësi tjera, pra gjithmon kombësia dhe interesat e kombit kanë qenë primare dhe përcaktuese për Shqiptarët.
Për fund, për çdo Shqiptar kam një porosi, një thënje nga Gjergj Fishta: “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi