Guximi intelektual nënkupton aftësinë për të menduar dhe vepruar në mënyrë të pavarur, duke mos u nënshtruar presioneve të jashtme. Individi me guxim intelektual nuk frikohet nga sfidat dhe është i vendosur për t’u përballur me vështirësitë për ta nxjerrë në pah të vërtetën. E kundërta e guximit intelektual realisht duhet të jetë frika intelektuale. Guximi intelektual lidhet me respektimin dhe mbështetjen e vlerave të intelektualizmit, siç janë transparenca, sinqeriteti dhe integriteti intelektual.
Aktualisht, a mund të veçohet ndonjë vlerë intelektualizmi te shoqëria shqiptare e Malit të Zi, kur është më se e dukshme mungesa e guximit intelektual? Fatkeqësisht është një pyetje, e cila thjeshtë e nënkupton përgjigjen. Sepse pikërisht mungesa e guximit intelektual, ka bërë që shoqërinë shqiptare ta mbulojë një mjegull, brenda se cilës mjegull ndodhin gjëra të çoroditura dhe të turpshme për një shoqëri normale. Nuk mund të veçohet asnjë vlerë, sepse ata që duhet ta thonë të vërtetën, janë mbyllur brenda lëvozhgave të tyre dhe kanë frika ta shikojnë në sy realitetin, që për fatin tonë të keq, ka kohë që është mbuluar me një zymtësi të dhimbshme.
Brenda shoqërisë shqiptare në Mal të Zi nuk pushojnë së qarkulluari zëshëm vagonët e së keqes, por kjo askujt nuk i pengon, mbase pa këto dukuri të shëmtuara nuk mund të jetohet. Pra, mungon zëri i arsyes, zëri i atyre, të cilët në vend që t’i shërbejnë të vërtetës, kanë zgjedhur t’i shërbejnë dhe t’ia hapin rrugën dukurive të shumta negative që e kanë dëmtuar deri në palcë indin kombëtar.
Pos dy – tre zërave që e kanë flakur frikën dhe të bardhës i thonë të bardhe e të zezës – të zezë, realitetin e “intelektualëve” të tjerë anemik e skicojnë analfabetët, të cilët kanë marrë rolin e “shpëtimtarëve” të shoqërisë shqiptare.
Dhe, mos të harrojmë se në Mal të Zi, intelektual e konsiderojnë veten një armatë e profesorëve, studentëve, shkrimtarëve, mjekëve, aktorëve, piktorëve, gazetarëve, analistëve, të punësuarve në administratën shtetërore, pastaj të gjithë ata që (të përgjumur) kanë magjistruar e doktoruar në drejtime të ndryshme…Janë të shumtë në numër, por askund nuk vërehen.
Ndërkaq intelektualizmi konsiderohet si një qasje që promovon ndërgjegjësimin intelektual dhe përdorimin e mendjes për të arritur njohuri dhe kuptim më të thellë të realitetit. Kur nuk përdoret mendja, atëherë vjen në shprehje gjumi dhe injoranca, të cilat e kanë kapluar shoqërinë shqiptarë në Mal të Zi.