Qani Osmani: TË VET-PËLQYERIT E POLITIKËS SHQIPTARE

Të vetë-pëlqyerit e politikës shqiptare, e të cilët janë të shumtë, vazhdimisht tentojnë të imponojnë të vërtetat e tyre, permes të cilave insistojnë që të mbeten në sipërfaqe, gjithnjë duke u fshehur prapa vlerave kombëtare. Krahas politikës së hapur dhe normale, që duhet të jetë e çiltër, parimore, e urtë, largpamëse, e drejtë e paqësore, shqiptarët tashmë njohin edhe politikën grabitqare, politikën e grushtit të hekurt, politikën e kulaçit e kërbaçit, politikën e kërcënimit e shtrëngimit, politikën e hajnisë…

Shqiptarët i kanë provuar të gjitha këto politika. Është koha që të krijohenë kushte për profilizimin e të gjithëve sipas afiniteteve dhe aftësive që posedon secili. Kuptohet, nevoja për politikanë është e domosdoshme, por jo për të atillë që brenda natës konvertohen si me shkop magjik dhe nga “askush bëhen dikush”. Përcaktimi i kritereve do të bënte që të kemi një profilizim të qartë dhe gjërat pastaj do të kishin një rrjedhë normale, duke e liruar politikën nga ata që e kanë bërë si prone të veten.

Në këtë mënyrë, secili do t’i kthehej profesionit të vet: beriberi gërshërëve dhe brisket të rrojës, mësues abetares, hoxha xhamisë, bujku tokës dhe bagëtisë, zejtari zejes, tregtari tregtisë, taksisti veturës, shitësi tezgës, student studimeve, daullexhiu daulles e kështu me radhë.
Filtrimi i të gjithë atyre që janë futur në vorbullën e politikës do të ishte një proces i shëndetshëm për shoqërinë shqiptare. Çdo profesion është i shenjtë dhe duhet t’i besojmë. Ky parim shqiptarët do të duhet t’i përcjellë në të ardhmen, bashkë me ndërgjegjësimin dhe ndalimin e manipulimit të hallexhinjve, të cilëve u premtohet edhe qumësht zogu vetëm e vetëm që të jenë në shërbim të atyre që kanë qëllime meskine.

Është e rëndësishme që politika të jetë në funksion të avancimit cilësor të të drejtave të shqiptarëve dhe jo të bëhet politikë për t’i treguar njëri tjetrit se kush ka nofulla më të forta. Parimi kryesor dhe i vetëm i partive politike shqiptare duhet të jetë më shumë punë e më pak premtime dhe jo anasjelltas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi