Qani  Osmani: ZGJEDHJET BRENDAPARTIAKE DHE POLITIKA KADROVIKE

Zgjedhjet brendapartiake qëndrojnë në korelacion të drejtpërdrejtë me zgjedhjet elektorale qofshin ato vendore, parlamentare ose presidenciale. Kisha thënë se zgjedhjet brendapartiake dhe zgjedhjet elektorale, për partitë politike dhe anëtarësinë e tyre paraqesin dy anë të medaljes së njëjtë. Në parim personat që marrin pozita të rëndësishme në zgjedhjet brendapartiake, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme gjenden në listat për funksione të caktuara ose në instancë të fundit, Ata vendosin për kandidatin e mundshëm për bartës të funksioneve të caktuara. Prandaj, nuk është e rastit që zgjedhjeve brendapartiake u kushtohet rëndësi e veçantë, edhe pse sipas disa rregullave të pashkruara, përbrenda partisë politike thuajse çdoherë veprojnë forca politike të cilat zgjedhjet partiake tentojnë t’i shndrojnë në formalitet.

Për demokracinë interne me një rëndësi të veçantë është forma e propozuar dhe mënyra e zgjedhjes së bartësve të funksioneve në organet partiake. Mosrespektimi i normave dhe vlerave demokratike gjatë zgjedhjeve brendapartiake, në përmasa të mëdha i ndihmon tendencat autokratike dhe e dëmton zhvillimin e rrjedhave demokratike të brendshme. Normalisht se këto çështje janë të rregulluara me dokumentet e partive politike e në radhë të parë me statutet e tyre. Domethënë, për demokracinë e brendshme shumë i dëmshëm është mosrespektimi i qëndrimeve partiake të normuara në dokumentet partiake dhe nënkuptohet, mosrespektimi i procedurës.

Në shumicën e partive politike bashkëkohore edhe pse kjo materie është e rregulluar shkëlqyeshëm me statute dhe dokumente tjera partiake, në praktikën e veprimit të partive politike tepër e pranishme është dukuria e quajtur si “manipulim demokratik i demokracisë”. Me fjalë të tjera, edhe atëherë kur respektohet procedura dhe statutet partiake, bartësit e vërtetë të (pushtetit politik), të cilët shpeshherë as që janë anëtarë të partive politike, nëpërmjet metodave të ndryshme, ku nuk përjashtohen metodat represive, miti dhe korrupsioni e arrijnë qëllimin që në organet dhe forumet partiake të imponojnë persona të cilët në momente të caktuara do të vihen në shërbim të atyre që u kanë ndihmuar të zënë pozicione të caktuara në hierarkinë partiake. Për të njëjtat qëllime, por me metoda dhe prej pozicioneve tjera, veprojnë edhe strukturat oligarkike brenda vetë partive politike. Oligarkitë partiake si qëllim parësor e kanë krijimin e strukturave partiake të “dëgjueshme”, të cilat pa bërë shumë zhurmë do të jenë në shërbim të politikës që e trason oligarkia partiake. Udhëheqja partiake shumë më lehtë do të mbetet në pushtet në qoftë se ia arrin qëllimit që vetë t’i caktojë kandidatët në hierarkinë partiake. Në raste të tilla zgjedhjet shndërohen në formalitet, që në të vërtetë nuk janë zgjedhje por kooptim.

Shumica e partive politike bashkëkohore, e në radhë të parë ato që së paku formalisht angazhohen për demokraci brendapartiake, në mënyrë taksative e theksojnë të drejtën e patjetërsueshme të anëtarëve të partisë, të zgjedhin dhe të jenë të zgjedhur në organet partiake të niveleve të ndryshme. Ky segment i veprimit të partive politike është paraparë në statutet e të gjitha partive politike që aktualisht veprojnë në Mal të Zi.

Megjithatë këtu shtrohet pyetja: A thua këto norma statutare njëmend e ndihmojnë demokracinë partiake?! A ekziston mundësi që këto parime statutare të keqpërdoren nga struktura të caktuara partiake? Normalisht se është vështirë të jepen mendime të qëndrueshme të cilat në parim do të vlejnë për të gjitha partitë politike. Por, shikuar nga ky aspekt, nuk është vështirë të konkludohet se në partitë politike që veprojnë në mjediset pa ndonjë traditë demokratike, ku niveli i kulturës politike është i ulët, keqëpërdorimi i normave statutare të lartëpërmendura është shumë i mundshëm. Strukturat oligarkike që t’i sigurojnë pozicionet që kanë, në emër të zbatimit të përpiktë të parimeve statutare në organet dhe nivelet e ndryshme zgjedhin persona jokompetentë, thënë më saktësishtë, persona të paaftë, me të cilët shumë më lehtë mund të manipulohet. Praktika e veprimit të partive politike shqiptare në Mal të Zi, jep dëshmi të shumta në këtë drejtim. Mjafton t’u hedhim një shikim kritik strukturave partiake të zgjedhura në nivel të nëndegëve dhe degëve, por edhe “lojtarëve të dorës së dytë” që zgjedhen në nivel qendror, respektivisht atyre që zgjedhen vetë për t’a kënaqur formën, të njohur si “persona kukulla” në organet partiake.

Partitë politike kanë qasje të ndryshme ndaj zgjedhjeve partiake, por edhe ndaj zgjedhjeve për bartës së funksioneve të ndryshme në shoqëri. Disa parti politike mbajnë “llogari të veçantë” për atë që e quajnë “çështje kadrovike”. Ato e bëjnë planifikimin e kuadrove që në momente të caktuar “propozohen dhe zgjidhen” në organet partiake të niveleve të ndryshme. Kategoria tjetër e partive politike, kanë qasje më parimore sa u përket propozimeve dhe zgjedhjeve të batësve të funksioneve partiake. Ato më me përpikëshmëri i zbatojnë parimet partiake, të normuara në dokumentet partiake duke mos e bërë as diskriminimin pozitiv e as atë negativ të anëtarëve të partisë. Në grupin e tretë bëjnë pjesë partitë autokratike,  siç ishin partitë fashiste. Është e njohur se Hitleri në partinë e tijë vetë i emëronte funksionarët partiak në organet e partisë.

Partitë politike shqiptare në Mal të Zi, gjatë propozimeve dhe zgjedhjes së bartësve të funksioneve partiake në këto parti janë të pranishme tri tendenca themelore. Sipas tendencës së parë, në procesin zgjedhor vjen në shprehje qëndrimi dominues i një grupi më të vogël njerëzish. Sipas tendencës së dytë, në procesin zgjedhor, gjatë propozimeve dhe përzgjedhjes së bartësve të funksioneve partiake, më shumë vjen në shprehje vullneti i asociacioneve bazë të partisë. Dhe sipas tendencës së tretë, në zgjedhjet partiake para së gjithash vjen në shprehje autoriteti i liderit partiak. Liderët gjatë zgjedhjes së udhëheqjes së re partiake në krye të së cilës duhet të gjenden vetë ata, duke e shfrytëzuar autoritetin e vet përpara organeve partiake dalin me listën e kandidatëve që sipas tyre duhet të jenë bartës të funksioneve partiake.

Partitë politike shqiptare ekzistuese që veprojnë në skenën politike të Malit të Zi, dallojnë në mes vete edhe në aspektin e moskrijimit të parakushteve të njëjta për të gjithë anëtarët e partisë që pretendojnë të zgjedhen në organet partiake. Është fshehtësi publike se në organet partiake të partive shqiptare në kushte normale gjasa më të mira për t’u zgjedhur kanë ata që me oligarkitë partiake qëndrojnë “në lidhje të veçanta”.Një pjesë e partive politike shqiptare në Mal të Zi, në statutet e tyre partiake e kanë përcaktuar mënyrën dhe procedurën zgjedhore. Pjesa më e madhe e tyre procedurën zgjedhore e rregullojnë me rregulla të veçanta me ç’rast krijohen mundësi më të mëdha për manipulime eventuale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…

LD në MZ: URIM KOSOVËS DREJT INTEGRIMEVE EUROATLANTIKE

Z-nj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës E nderuaara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, i