Fjala e mbajtur në orën komemorative në Ulqin, 17 mars 2025
Gjëja më e vështirë në këtë rast është ta shkruash dhe ta thuash fjalinë e parë, sepse është vështirë të pajtohesh dhe të thuash: iku më i miri nga ne, iku zëri poetik me të cilin u njohëm kaq kohë, u mbyll një libër me përmbajtje jashtëzakonisht të pasur, një libër plot vepra të mira dhe fisnike, pushoi së rrahuri një zemër e madhe. Na la, për të shkuar në amshim bashkëshorti, prindi, miku dhe kolegu i jonë i respektuar, Ibrahim Berjashi, gjigant i modestisë, ndershmërisë dhe humanizmit, figurë morale e jashtëzakonshme, burim krenarie për familjen dhe për të gjithë ne që e njohën, por edhe poet i shkëlqyer, prozator i mirë, kronik i përditshmërisë sonë dhe veprimtar i palodhshëm, si pionier i gazetarisë së shqiptarëve në Malin e Zi.
Dhe ne gjithmonë përpiqemi të relativizojmë fuqinë e vdekjes me pashmangshmërinë e saj. Por këtë e përjetojmë gjithmonë vetëm subjektivisht, sepse ajo na merr të dashurit tanë, ashtu siç na i mori më parë miqtë dhe kolegët tanë: Fiqriun, Rudin, Islamin, Basriun, të gjithë u prehshin në paqe, ajo shuan gjithmonë një jetë specifike me të cilën, deri në një moment, ishim lidhur ngushtë, merr tërë personalitetin e tij, virtytet, forcën e shpirtërores, mirësinë dhe fisnikërinë, gjithçka që na lidh. Andaj dhe shuarja e Ibrahimit është një humbje e madhe, një zbrazëti, tani konkrete, por plot përmbajtje, është humbje e një thesari që gjatë kohës së shkuar u zgjerua dhe u mbush me detaje, me gjurmë të pashlyeshme e të qarta për të gjithë ne, të shtresuara dhe të shtrira në rrathë koncentrikë, por dhe një humbje e madhe për gjithë kulturën kombëtare, ku kontributi i tij qe i jashtëzakonshëm.
Figura e tij ishte gjithmonë një tërësi e plotë, dhe kështu funksionoi, kështu jetoi dhe veproi, si një organizëm i përsosur që mbartte brenda vetes të gjitha parimet e tij, dhe në të njëjtën kohë, duke respektuar dhe pranuar parimet e të tjerëve, por vetëm ato që domosdo duhej të ishin progresive.
Dhe tani personale (në bashkëbisedim): Veprat e tua, i nderuar Ibrahim, do të mbeten “të gdhendura” në segmentin e asaj që thuhet se – “nuk do të harrohen kurrë”. Është e pamundur të përshkruash boshllëkun, trishtimin, që ka hyrë disi papritmas, në heshtje në të gjithë jetën tonë tani, këtu. “Kur pritet lisi, qajnë pyjet”, pat thënë shkrimtari i madh francez Andre Malraux. Ne, kolegët e tu, disi me trishtim, trishtim të thellë dhe mosbesim, i përjetojmë të gjitha këto momente me frikë, heshtim dhe heshtim. Ndërsa gjithandej po të kërkojnë fjalët e pashkruara, po të kërkojnë vjershat, himnet, që i le.
Thuhet: “Për të marrë diçka, duhet të japësh diçka”. Nuk jam i sigurt për atë se çfarë more nga ne, por të gjithë ne jemi të sigurt që na dhatë shumë momente të ngrohta, mirësi dhe buzëqeshje, me përplot iniciativa dhe ide të reja në veprimtarinë tonë që na bashkoi pranë Shoqatës sonë, që nga themelimi, me një qëllim të vetëm, që në qenien tonë kombëtare të ringjallim atë që prore ishte anatemuar. Buzëqeshja, por edhe humori kuptimplotë do të mbeten sinonim për ju, i dashur, koleg i respektuar. Të faleminderit për katër dekada miqësi dhe art poetik.
Shkëlqimi i yllit të shkrimtarit, poetit, gazetarit, Ibrahim Berjashi, nuk mund të zbehet, sepse ai shkëlqim mbetet në veprat e tij. Edhe pse i suksesshëm në shumë fusha të artit dhe kulturës, dhuntia e tij poetike foli më zëshëm prej tij. Ishte poeti i vendlindjes, ku nëpërmjet pulsimit të përditshëm të jetës, ai zbuloi bukuritë e saja universale. E bëri përmes poezisë së tij e cila tani më është bërë një shenjë njohëse në poezinë tonë kombëtare, ndërsa emri i tij një emër i njohur në plejadën e poetëve kombëtarë të modernes letrare.
Në fund, nuk mund të ndahemi nga poeti dhe të mos përkujtojmë qoftë edhe një poezi të tijën, dhe jo rastësisht kam zgjedhur poezinë “Unë, ti dhe Jesenini”, që sikur përkon me këtë moment të trishtuar, si një shembull tipik i dhembjes kushtuar humbjes së mikut të tij, por ku poeti, ashtu si në vajtimet e njohura nga tradita jonë, shfrytëzon rastin të përmendë copëza nga historia e kombit për ta ngritur edhe më lart këtë dhembje, për t’i dhënë mbase edhe ngjyrime kolektive: Pse m’shikon ashtu nën sy / Edhe me heshtje m’flet shumë… / “Miku im i shtrenjtë, lamtumirë, / ty këtu në shpirt të kam ta dish…” / A s’më thue ç’kishte të re në Spi, / A i binte kush lahutës? / Po këmbonë ogiçi, kishte? / Dedë Gjo’ Luli, / A mbushej frymë me valëvitjen / E flamurit n’Bratilë?… e kështu me radhë, duke e përcjellë mikun e tij me lule Ilirie. Po me këto lule Ilirie iku edhe poeti jonë, miku dhe kolegu jonë Ibrahim Berjashi, u kthye në vendlindje, në Krajën e tij të dashur, atje ku fjala, kënga, poezia… për të ishin dhe mbetën gjithmonë një kushtrim.
I shpreh ngushëllimet familjes, kolegëve, miqve dhe të gjithëve që e kanë dashur Ibrahimin dhe poezinë e tij. Në vdekje fjalët pushojnë dhe e vetmja përgjigje ndaj saj është heshtja. Prandaj do të hesht. Le të jetë gjithmonë në paqe poeti. Uroj paqe për të gjithë ne.