Qeveria e Malit të Zi ka publikuar listën me 32 zona potenciale Emerald të cilët kanë nevojë për mbrojtje speciale, në radhë të parë të botës bimore dhe shtazore.
Në listë të zonave potencialisht të mbrojtura, e cila është publikuar në faqen e Këshillit të Europës, gjenden edhe gjashtë lokalitet në komunë të Ulqinit: Plazhi i madh, Kriporja, Liqeni i Shasit, Lumi Buna, Këneta dhe Ada.
“Këto janë potencialisht zona NATURA 2000 – rrjetë ekologjike me rëndësi për Europën, propozimin e të cilës jemi të detyruar t’ia dorëzojmë Komisionit evropian para hyrjes së vendit tonë në BE, si një nga kushtet”, thuhet në dokumentin qeveritar.
Zonat Emerald do të menaxhoheshin në bazë të Planeve të menaxhimit, përmbajtja e të cilëve është parashikuar me Ligj, në bazë të së cilit Plani i menaxhimit veçanërisht duhet të përmbajë udhëzimet zhvillimore, udhëzimet dhe prioritetet për mbrojtjen dhe ruajtjen e të mirës së mbrojtur natyrore duke respektuar nevojat e popullsisë lokale.