Një nga mrekullitë e vërteta në Ulqin, për të cilën shumë pak flitet, është qimja e flokut të profetit Muhammed (a.s.). Sipas gojëdhënës së besueshme ai i ndau qimet e flokëve miqve të vet mbas kryerjes së haxhit.
Ashabët i kanë ruajtur me kujdes dhe i kanë lënë në amanet gjeneratave që vinin mbas tyre. Të gjithë gjeneratat e ardhshme i kanë ruajtur në vendet e fshehta, kështu që edhe sot mund të shihen në pjesë të ndryshme të botës. Sakal-i Sherif ka mbërritur në Ulqin para më shumë se 200 viteve, derisa qyteti ishte nën perandorinë Osmane, dhe ruhet me respekt të madh në një shishe të vogël prej qelqi në selinë e Bashkësisë Islame.
Tradicionalisht nxirret në ditën e 26 të muajit të Ramazanit, në xhaminë e Muredin-begut (në Krye të pazarit). Në atë ditë, siç besohet, është Lejletul-Kadr apo për myslimanët e njohur si “Nata e fuqisë” apo “Nata e fatit”, në të cilën profetit Muhammed (a.s.) i shpallen ajetet e para të Kur’anit famëlartë.