Marsi 1967. Muaji i zgjedhjet popullore për këshilltarë e deputetë në Federaten Jugosllave. Duke lexuar të përditëshmen Oslobođenje, në hollin e bibliotekës universitare, në rubriken ’Crna Gora’, vërejta titullin, përkthim: ”Xhuoviq tërhiqet në favor të Taipoviqit”. Në vazhdim kuptova se flitet për tërheqjen e kandidatures së Nikolla Xhuoviqit në zgjedhje për deputetë të Dhomës kulturo-arsimore në Kuvendin Federativ, ku kandidat ishte edhe ish kujdestari i klasës time në dy vitet e fundit të shkollimit fillor, profesori i dashur Fadili.
Ma vonë, në të njëjten gazetë, shoh listen e deputetëve të porsazgjedhur Federativ, e në te, Dhoma kulturo-arsimore, emri ’Fadil Taipović, Ulcinj, SR Crna Gora’. E palova gazeten, dola në trotuar dhe në kioskun e parë mora ”Urën e vjetër”, panoramë, simbolin e qytetit ku studjoja, shkrovaa urimin e përzemërt dhe ia dërgova kujdestarit tim. Pas një jave, përmes ”bukuroshit” të Ulqinit, ”Jadranit” të Sukës, kuptohet panoramë, deputeti i ri më nis falënderimin në urim, që ende e kam thesar. Mësova se Nikolla, profesori nga Hercegnovi, kishte vendosur ashtu pas njoftimi se nga ”kepi i jugut”, për atë detyrë është kandiduar kolegu i tij, intelektuali shqiptar i përkrahur nga trupi zgjedhor Ulqin, Tivar, Titograd…Në vitin 1970. shpallet zgjedhja e delegatve për Konferencën e Dytë të LK të Malit të Zi.
Organizata bazë Vlladimir, (krejt Ana e Malit), në propozim të Vebi Hasanagës-Ulqin, anëtar, për atë Konferencë kandidoi Rexhep Lleshin – mua.
Gjatë propozimit të delegatëve, thuhej se shumë organizata bazë, për atë vend, përveç tjerëve, kanë kandiduar edhe shokun Vebi Hasanaga, njeri me biografi të begatë shoqëroro-politike e punuese në komunë, aso kohe drejtor i Kooperativës bujqësore Vlladimir, pranë Kombinatit industrial ”Industriaimport” Titograd.
Në mbledhjen e organizatës tonë, pasi e arsyetoi propozimin, veç tjerave, Vebiu shtoi edhe:
– Këtu para jush deklaroj, se për kandidimin tim të inicuar në do organizata tjera do t’u shprehi mirënjohje, ndërsa te organet komunale partiake do të kërkoj tërheqjen time në favor të aktivistit tonë të sapo kandiduar, dmth. timin. Ai vërtetë ashtu edhe pat vepruar.
Në fund organi ekzekutiv partiak vërtetojë, ndërsa Konferenca komunala e LK, për delegat në Konferencën në fjalë, nga Ulqini, zgjodhi Rexhep Lleshin – mua. (Libri: E Vërteta ime)
1978-ta ishte vit i zgjedhjeve të delegacioneve – delegatëve për kuvende të komunave etj.
Tubimi i banorëve të Bashkësisë vendit Vlladimir, (Ambull, Brajshë, Fraskanjel, Selitë, Shas, Katërkollë), propozoi, kandidoi e me votim popullor u zgjodh delegacioni, aty edhe Rexhep Lleshi – unë, anëtar. Nga delegacioni caktohej delegati për Dhomën e bashkësive të vendit në Kuvend komunal Ulqin. Nga kjo Bashkësi për delegate u caktuar Syme Kokaj – Brajshë.
Këshilli Koordinues komunal për zgjedhje dhe emërime Ulqin, në fazën e kandidimit të kuadrave për udhëheqës të organeve, për kryetar Dhome të bashkësive të vendit në Kuvend komunal, kishte kandiduar Rexhep Lleshin – mua. Si për procedurë, Këshilli në fjalë kishte caktuar kryetarin e vetë, Rexhep Kordiqin, për të biseduar me mua.
Rexhep Kordiqi erdhi në shkollë, ku punoja, për bisedë. Aty fjalën e muer ai i pari. Bëri hyrje të shkurtër mbi zgjedhjet e pastaj nxori qëndrimin e Këshillit koordinues që kryesonte, për kandidimin konkret e siç u shpreh, këtu ishte për të marrë pëlqimin tim.
Qëndrimin e Këshillit, sipas fjalëve të bashkëfolësit, mu duk se e kuptova. Pasi përgjigja duhej dhënë në vend, mendova pak dhe vazhdova. Së pari kryetarit të ndëruar Kordiqi i shpreha mirënjohjen time për Këshillin dhe atij personal, për besimin e treguar ndaj meje. Duke besuar se do të kem arsye që nga ajo barrë ”të nxirrem”, shtova:
– Këtu në Bashkësinë tonë të vendit, zgjedhja e delegacioneve dhe delegatëve është bërë e pikërisht në Dhomën e bashkësive të vendit, është deleguar Syme Kokaj. Pasi qenka marrë qëndrim që kryetari i Dhomës të zgjidhet nga radha e kësaj Bashkësie, atëherë aty e keni, Symen! Tjetër mos kërkoni! Aktiviste më të mirë s’mund ta gjeni.
Pata më me folë, por bashkëfolësi më ndaloi për ta marrë ai fjalën:
– Jo! Qëndrimi i Këshillit nuk është që kryetari i Dhomës me u zgjidhur nga Bashkësia e vendit Vlladimir, as unë nuk u shpreha ashtu. Këshilli që kryesoj unë kandidon personat e jo rajonet. Kësaj radhe u ka kandiduar ju, me emër, si kuadër i nivelit komunal. Në qoftë se ju nuk mund ta pranoni atë detyrë, për ta ditur, kandidati ”rezervë” është person tjetër, jo nga kjo trevë, jo nga Ana e Malit.
Atëherë, unë e ndërrova mendjen dhe u shpreha se do ta pranoj detyrën, por vetëm me pëlqimin e delegacionit amë, strukturave shoqërore në vend dhe atë personal të shoqes Kokaj. Për punë të mëtejme u ftuar kryetari i Delegacionit të Bashkësisë vendit, me porosi që bashkë me delegacionin ta zgjidhë atë çështje dhe ta njoftojë kryetarin Kordiqi.
Në mbledhje të zgjëruar Delegacioni u njoftuar si më parë. Aty e para foli Syme Kokaj, delegate e porsazgjedhur në Kuvend komunal. Ajo e përshëndeti qëndrimin e marrë dhe deklaroi dorëheqjen në postin e delegates në favor të Rexhep Lleshit – timin. Me deklaratë të qartë ajo hapi rrugë për zbatimin e qëndrimit të marrë, kandidimin tim. Delegacioni amë, njëzëri më caktoi delegat në Dhomën e bashkësive të vendit në Kuvend komunal Ulqin, për të ecur drejtë zgjedhjes, kryetar i Dhomës…, siç edhe u realizuar. (Libri: E Vërteta ime)
Asnjëherë më vonë nuk u folë, as unë nuk dëgjova, si për donjë presion të msheft për ato lëvizje – dorëheqje, çka as nuk ishte cilësi e kohës e që sot edhe mund të imputohet.
Kjo simbolikë, tash e demoduar, është e kaluara e viteve cik-cak, materialisht jo aq e begatë, por jetë plotë besë, dashri, kujdes, sinqeritet, solidaritet, drejtësi, moral e fundamente tjerë njerëzor të një vendi e shoqërie kompakte, e sigurt, bereqetshme e prosperuse. Vleratë e saj ishin edhe qëndresë mbrojtje nga erozioni shpirtlig që si kuptim edhe kërcnonte. Ato vlera, kudo të përhapura ishin fryt i edukatës së mbarë, të nisur në familje, mësuar në shkollë e kultivuar në shoqëri. Ato ishin kënaqësia, vetë njeriu dhe lumturia e tij. Ato ishin virtytet e kohës, që shpirtligët dhe interesxhinjtë e pangopur, të maskuar me vellon e demokracisë si egërsira u vërsulen mbi to, për ti shkelur e, si pengesë, edhe mjanuar sa për të grabitur thesarin e grumbulluar. Përmbysësit, si për modë, vlerave nga dikur,tash iu thonë diktaturë. Pasi profiterët e ”moderuar”, pasuritë e atyre vlera gati i kanë sosur, e vetë nuk dijnë ma ti mbëkamin, luajn në letren me të cilën edhe kanë hy aty ku janë, atë të përçarjes në vijat më të ngushta, moral dhe besë, shenjtëri ato që kurr nuk shemben as nuk thehen e me arsye edhe mund të hakmerren.